Bota

Po flinte në koshin e mbeturinave, vdes 13 vjeçari në Australi!

Vdekja e një 13 vjeçari ka tronditur Australinë, pasi një kosh mbeturinash në të cilin po flinte u zbraz në kamion të mbeturinave.

Spencer Benbolt Junior, i njohur nga miqtë e tij si Budda, dhe dy shokët e tij pak më të rinj, ndodheshin brenda koshit në Port Lincoln të Australisë jugore.

Policia tha se një fëmijë 12-vjeçar arriti të dilte nga koshi dhe filloi të godiste në dritaren e kamionit që vozitësi të ndalej, por dy shokët te tij tashmë kishin rënë brenda kamionit, shkruan Daily Mail.

Spencer pësoi lëndime të rënda dhe vdiq në vendin e ngjarjes, afër një restoranti “McDonald’s”, ndërsa fëmija më i ri, një 11-vjeçar, shpëtoi pa lëndime.

Shoku i Spencerit, Dylan Fox, tha se adoleshenti ishte duke fjetur në kosh sepse nuk dëshironte të qëndronte në familjen që e strehonte atë. Drejtuesi i kamionit nuk e dinte që fëmijët ndodheshin në kosh dhe se është prekur jashtëzakonisht shumë nga ky incident.

Kushërira e Spencer e përshkroi atë si një ‘fëmijë me të vërtetë të mirë’, me një buzëqeshje të artë në fytyrë.

Ai ishte trim,  ai ka kaluar shumë gjëra dhe ishte një fëmijë shumë i fortë, tha ajo me lot në sy. Halla e 13-vjeçarit tha se ai gjithmonë kishte një ‘marrëdhënie të ngushtë’ me prindërit, vëllezërit dhe gjyshet e tij.