Aktualitet Lajmet e fundit

Policia aksion antidrogë në Lezhë me urdhër të SPAK, lëshohen 20 urdhër-arreste, dyshohet edhe për policë të arrestuar.

Një operacion antidrogë me urdhër të SPAK po zhvillohet nga Policia e Shtetit në Lezhë, ku deri tani janë ndaluar 12 persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Dyshohet se mes të arrestuarve në Lezhë janë edhe 5 efektivë policie të përfshirë në kultivimin e trafikun e kanabisit. Kjo është edhe arsyeja se pse hetimi po ndiqet nga SPAK dhe SHÇBA.

Në total po ekzekutohen nga Policia e Shtetit, 20 masa sigurie personale të miratuara nga gjykata, të përfshirë në kultivim dhe trafikim droge.

Ky operacion antidrogë vjen pas vrasjes nënkomisarit Saimir Hoxha, i cili po asgjësonte parcela me kanabis në zonën e Kune Vain, në Lezhë, së bashku me dy kolegët e tij.

Nënkomisari u vra nga 21-vjeçari Aldi Rama, i cili refuzoi që të kontrollohej nga policia dhe hapi zjarr ndaj tyre, duke lënë të vdekur efektivin e policisë. Pas disa orësh ndjekje, i riu nuk pranoi të dorëzohej dhe qëlloi veten.