Bota

Policia arreston autorin e sulmit me shigjeta në Norvegji ku mbetën të vdekur 5 persona/ Ai është një 37-vjeçar nga Danimarka.

Një 37-vjeçar danez është arrestuar nga policia norvegjeze si autor i sulmit me shigjeta ku mbetën të vdekur 5 persona dhe të lënduar 2 të tjerë. Identiteti i tij nuk është bërë akoma publik por ai është dërguar në një stacion policie.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Kongsberg, 85 km në jug-perëndim të kryeqytetit Oslo në orën 18:13 sipas orës lokale. Policia dyshon se ai ka vepruar i vetëm dhe po vazhdon hetimet për të zbuluar nëse sulmi lidhet me ndonjë akt terrorist.

Për ngjarjen në fjalë ka folur edhe kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg e cila ka thënë se ky është një sulm tmerrues.
“Unë e kuptoj se shumë njerëz kanë frikë, por është e rëndësishme të theksoj se policia tani ka marrë kontrollin”- tha ajo në një konferencë për mediat.

Vrasjet masive janë të rralla në Norvegji. Masakra më e madhe e vendit në kohë paqeje ishte më 22 korrik 2011, kur Anders Breivik vendosi një bombë në kryeqytetin e Oslos, duke vrarë tetë persona. Pastaj ai u drejtua për në ishullin e vogël Utoya, ku edhe vrau 69 persona të tjerë.

Breivik u dënua me 21 vjet burg, maksimumi sipas ligjit norvegjez, por mandati i tij mund të zgjatet për aq kohë sa ai konsiderohet një rrezik për shoqërinë.