Rajoni

Policia e Kosovës: Shpërfillni thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës!

Policia e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve t’i shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në një protestë sot në jug të Mitrovicës.

Nëpër media të ndryshme sociale, nga persona dhe profile të ndryshme, janë duke qarkulluar postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për pjesëmarrje në gjoja protestë masovike, sot në ora 12:00, në jug të Mitrovicës dhe me synimin kinse për marshim në veri të vendit. Eshtë vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija.

“Thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës, me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe nuk ndihmojnë Republikën e Kosovës”, tha ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Në protestën e sotme të serbëve në Zveçan të komunës së veriut janë dhe minatorët. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç tha se ata nuk kanë mundur ta bëjnë punën e tyre që nga e premtja e 26 majit. Punonjësi i minierës Crnac, Darko Milloviç, i cili foli për mediat në emër të kolegëve, tha se prodhimi është pezulluar që nga e premtja, për shkak se forcat speciale kanë bllokuar punën e nuk lejojnë kamionët të transportojnë minerale. Ai vuri në dukje se pagat e tyre varen nga çka prodhojnë.

Qytetarët në Zveçan filluan të mblidhen në orët e para të mëngjesit në protestën e radhës kundër kryetarit shqiptar. Punonjësit e Autoritetit të Përkohshëm të kësaj komune, që funksionon nën sistemin e Serbisë, u regjistruan në listën e të punësuarve të vendosur në një tryezë, si dëshmi të pjesës që “vijnë në punë”.

Forcat e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR janë dislokuar në të gjithë Zveçanin. Në këtë komunë në veri të Kosovës, ashtu si dhe në Leposaviç e Zubin Potok, protestat vazhdojnë prej ditësh. Protestuesit kërkojnë tërheqjen e kryetarëve shqiptarë e të njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga komunat në veri.

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri është duke punuar nga Zyra për Komunitete, në fshatin Çabër. Ai shtoi se po vlerësohet gjendja e sigurisë për të vendosur nëse do të shkojë në objektin komunal.