Aktualitet Politikë

Policia i refuzoi lejen e tubimit, Berisha: Më 6 dhjetor mbushim sheshin!

Sot gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë në rrjetet sociale, kryetari demokrat, Berisha, tha se më 6 dhjetor, sheshi do të mbushet me protestues. Refuzimin e policisë e cilësoi “të paqenë”. Sipas tij, “me mosdhënien e lejes, Policia njoftoi mbrëmë se nuk njeh Kushtetutën dhe ligjet e vendit”. “Vasalëve të Edi Ramës i rikujtoj se Kushtetuta nuk njeh kufizime për protestat dhe liritë e qytetarëve”, – u shpreh Berisha.
Krahas kësaj, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që vendos se protestuesi nuk ka asnjë detyrim që të njoftojë policinë.

Policia e Shtetit e Edi Rramës po e trajton samitin e liderëve të BE-së, sikur këtu po mblidhen diktatorët e botës, në një kohë kur ata që vijnë në Tiranë janë shtetarë të zgjedhur me votën e lirë. Për të qartësuar pozicionin europian, Komisioni Europian kërkoi që e drejta për protestë të respektohet.

Prandaj ai refuzim është i paqenë, tregon fytyrën e vërtetë të këtij regjimi që është i tmerruar nga populli opozitar që do të mbushë sheshin në datën 6, ora 12:00.

Në këtë datë do të vërshojnë të gjithë ata që ëndrrën europiane e kanë më të çmuarën për të ardhmen e tyre. Në datën 6 do të vërshojnë të gjithë ata që shohin vlerat europiane si më të çmuarat.

Do të jetë një protestë që nuk është parë ndonjëherë. Do jetë një protestë ku në çdo anë do të buçasin thirrjet: E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Edi Rama dhe narkoshteti nuk përfaqësojnë Shqipërinë! Edi Rama dhunues kryesor i votës së lirë në Europë, pas Lukashenkos! Edi Rama, një vasal i verbër i Vuçiçit dhe avokat mjeran i Rusisë së Vogël dhe Putinit!

Kemi kaq motive për të qenë në shesh duke garantuar sigurinë e plotë të miqve tanë, të cilët i përshëndesim dhe e konsiderojmë nderim të madh për kombin shqiptar. Por, Edi Rama nuk përfaqëson votën e lirë, ai përfaqëson narkoshtetin dhe gjithçka që e shndërroi këtë popull në popullin e gomoneve. Kështu që ne duhet të jemi aty, të gjithë së bashku dhe do jemi!

Tubimi do jetë më i madhi i zhvilluar ndonjëherë në historinë e këtij vendi. Nuk ka forcë në botë që të pengojë mbajtjen e atij tubimi që si synim madhor ka të dëshmojë përkushtimin dhe vokacionin e popullit shqiptar, për të dëshmuar revoltën e këtij populli ndaj një njeriu që i ka shndërruar shqiptarët në njerëz të gomoneve, që po i dëmton dhe po i varfëron shqiptarët.