Rreth orës 05:30 të mëngjësit, forcat policore të Serbisë larguan protestuesit që bllokuan dy stacione hekurudhore në qendër të Beogradit nga dje në mbrëmje. U vendosën në “Beograd qendër – Prokop” dhe “Novi Beograd” pasi protestuan në qendër të kryeqytetit serb kundër planeve për minierën e litiumit. Një protestues i tha agjencisë së lajmeve Beta se policët përdorën mburoja kur ndërhynë në “Beograd qendër – Prokop”.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi:
Në përputhje me ligjet e Serbisë dhe rregullat ligjore është rikthyer trafiku hekurudhor.
Ndër të tjera u bë e ditur se policia ka nisur proces penal kundër të gjithë pjesëmarrësve për pengim të trafikut publik ndërkombëtar dhe rrezikim të sigurisë së qytetarëve. Në protestën e djeshme, fillimisht protestuesit nisën marshin në qendër e më tej iu drejtuan urës Gazella ku u ndanë në dy grupe dhe u shpërndanë për në stacionet hekurudhore.
Mijëra persona u mblodhën në protestën e organizuar prej Aleancës së Organizatave për Mjedisin e Serbisë pasi qeveria nuk e plotësoi kërkesën e protestuesve për të miratuar një ligj brenda 40 ditësh, që ndalon gërmimin e litiumit dhe hapjen e minierave në luginën e lumit Jadar, në perëndim të Serbisë, nga kompania Rio Tinto.
Aktivisti dhe njëri prej organizatorëve të protestës, Zllatko Kokanoviç u shpreh se bllokadat do të zgjasin derisa të miratohet kërkesa për një ligj që ndalon përpunimin e litiumit.
Bllokadat do të organizohen në tre deri në pesë pika të tjera, në qytete të ndryshme të Serbisë.
Pas protestës së djeshme, Rio Tinto tha:
Po zhvillohet fushatë intensive dezinformimi kundër projektit Jadar. Përmes saj po përhapen lajme të rreme dhe pretendime të pavërteta sikur projekti do të ketë ndikim shkatërrues në mjedis e në shëndetin e njerëzve.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe të tjerë zyrtarë të lartë thanë se synimi kryesor i protestës është “rrëzimi i qeverisë”. Vuçiç flet me tone pozitive për projektin “Jadar” duke thënë se miniera e litiumit duhet të nisë punën në vitin 2026, nëse “ofrohen garanci që nuk do të rrezikohet ambienti dhe jeta e njerëzve”.
Më 6 gusht, ministri serb i Shëndetësisë, Zoran Lonçar, prezantoi një ekip të ekspertëve shëndetësorë, të cilët, sipas tij do të vlerësojnë ndikimin e minierës së litiumit te shëndeti i njerëzve. Disa ekspertë vendas e të huaj vlerësojnë se procesi i nxjerrjes së litiumit sjell pasoja në mjedis, si dhe ndot ujin e tokën.