Bota

Polonia “del kundër” Gjermanisë: Jo rol drejtues në BE!

Pavarësisht faktit që dy vendet i kanë thelluar marrëdhëniet ekonomike e madje dhe ato ushtarake, Polonia e ka intensifikuar fushatën e saj kundër Gjermanisë duke vazhduar të përsërisë kërkesat për reparacionet e luftës e madje edhe duke kundërshtuar rolin drejtues të Berlinit në Bashkimin Europian.

Ka një fiksim të Polonisë te Gjermania, në një kohë kur për Gjermaninë Polonia është njëra ndër disa fqinjet e rëndësishme, thotë DW. Me shpërthimin e luftës në Ukrainë, Polonia e kritikoi publikisht Gjermaninë për ngurimin fillestar që të dërgojë armatime në Ukrainë.

E pafalshme sipas qeveritarëve polakë është që Gjermania i injoroi paralajmërimet e tyre për rrezikun e lidhjeve ekonomike me Rusinë, veçanërisht për gazsjellësin Nordstream.

Me një fushatë të mbështetur si nga parlamenti polak, ashtu edhe nga qeveria, Polonia ka shkuar edhe më tej: ajo i kërkon Gjermanisë t’i paguajë reparacione për dëmet në Luftën e Dytë Botërore.

1,3 bilionë euro është shuma e reparacioneve të vendosura nga një komision i parlamentit polak pavarësisht se në 1957, me një deklaratë të vlefshme edhe sot, qeveria polake hoqi dorë nga reparacionet e mëtejshme ndaj të dyja Gjermanive.

Jaroslaw Kaczynski, kreu i partisë në pushtet Ligji dhe Drejtësia (PiS), e akuzoi në dhjetor 2021 Gjermaninë madje se përpiqet ta kthejë BE “në një Rajh të Katërt Gjerman.”

Përpjekjet e Polonisë megjithatë për të krijuar një koalicion shtetesh kritike ndaj Gjermanisë e madje edhe Francës lënë për të dëshiruar, pasi shtetet e tjera duket nuk janë të interesuara për cënimin e marrëdhënieve me Berlinin.