Bota

Polonia: Nëse Kievi bie, Varshava objektivi i ardhshëm i Moskës!

Polonia mund të jetë objektivi i ardhshëm i Rusisë nëse arrin të pushtojë Ukrainën, shkroi kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki në një tabloid të njohur.

Polonia ka paralajmëruar prej kohësh Perëndimin për ambiciet e dukshme perandorake të Rusisë dhe ka argumentuar se këto ambicie mund të mos shuhen duke mposhtur Ukrainën.

“Putini e ka treguar veten si një politikan i pamëshirshëm që nuk do të ndalet para asgjëje. Nëse Kievi bie, Rusia do ta drejtojë agresionin e saj kundër Polonisë”, shkroi Morawiecki në një artikull në gazetën ”Super Express”.

Kryeministri e përshkroi gjithashtu si një “aksident të pafat” vdekjen e dy personave në një shpërthim që besohet të jetë shkaktuar nga një raketë e humbur ukrainase tokë-ajër.

Morawiecki tha se përgjegjësia e vetme për incidentin i takon Rusisë.

“Vdekja e dy polakëve na ka bërë të kuptojmë se sa afër është lufta… bombat po bien pranë kufijve polakë. Rusia është e vetmja përgjegjëse për këtë tragjedi”, tha Morawiecki.

Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë mbështetje për Ukrainën, duke shtuar se kjo ishte “e vetmja mënyrë për të shmangur një luftë me Rusinë”.