Aktualitet

Porti i ri i Durrësit, Rama: O me Durrësin në majë o me ata me plehra/Alibeaj: Boll me përralla!

Vazhdojnë replikat mbi akuzat e opozitës për investimin në portin turistik të Durrësit. Sot në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri Rama shkruan se armiqësia kundër investimit më të madh në rajon duhet t’iu shërbejë të gjithë durrsakëve për të parë fytyrën e armiqve të së ardhmes së Durrësit.

Armiqësia kundër investimit më të madh në rajon,i cili do ta transformojë Durrësin në një ndër destinacionet kryesore turistike të Mesdheut, duhet t’iu shërbejë të gjithë durrsakëve për të parë fytyrën e armiqve të së ardhmes së Durrësit; o me Durrësin në majë o me ata në plehra.

Rama shtoi:

Numri i maskaragjozllëqeve që po thuhen për projektin madhor të Portit Turistik të Durrësit, si edhe hapësira e paanë medietike në dispozicion të të paudhëve që po e luftojnë projektin si djalli temjanin, janë pasqyra e ligësisë që e ndjek këtë vend si mallkim qysh në vitin 1912.

Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese padinë kundër marrëveshjes për Portin e Durrësit, të cilën e ka cilësuar “një aferë të gatuar në fshehtësi”.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në lidhje me projektin e Portit të Durrësit. Në një postim në rrjetet sociale, Alibeaj shkruan se përrallat për investitorë strategjikë janë të njëjta me ato të inceneratorëve. Ai thekson se projekti i portit të Durrësit është dështimi dhe grabitja e radhës.

Përrallat me transformime të mëdha dhe investitorë strategjikë janë të njëjtat me ato që u thotë shqiptarëve për inceneratorët. Për gati 9 vjet Edi Rama u ka ofruar qytetarëve pallavra për investime ndërsa u ka vjedhur atyre pasurinë publike. Ua ka vjedhur duke ua bërë dhuratë miqve dhe klientëve të tij. Projekti i portit të Durrësit është dështimi dhe grabitja e radhës së kësaj qeverie që veç largimit i duhet të japë llogari dhe për abuzimet pa fré me pasuritë e shqiptarëve.