Aktualitet Politikë

Porti i ri i Durrësit, Rama publikon projektin 3D: Do të jetë më i madhi në Mesdhe

Kryeministri Rama publikoi sot pamjet 3D të projektit “Durrës Yachts & Marina” për ndërtimin e Portit të Durrësit. Pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit për realizimin e projektit, Rama thotë se dje u hodh një hap vendimtar që tashmë do t’i hapë rrugë ndërtimit të portit turistik më të madh në Mesdhe.

Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi se ky investim nuk do të realizohej dot pa mbështetjen e Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed.

https://www.facebook.com/ediramaal/videos/344149844470263/?t=0

“Mirëmëngjesi dhe me kënaqësinë e hedhjes së një hapi vendimtar dje, me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, që hap rrugën drejt procedurës parlamentare për kontratën historike për ndërtimin e portit më të madh turistik të Mesdheut në Durrës, falë një investimi prej mbi 2MLD USD, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Memorandumi i bashkëpunimit për ndërtimin e Portit të Durrësit u firmos nga kryeministri Rama dhe zhvilluesi me famë botërore Muhammed El Alabbar. Investimi është 2 miliard dollarë. Rama tha se do të sjellë një zhvillim ekonomik e turistik jo vetëm për zonën e Durrësit, por për të gjithë vendin. Investitori e zhvilluesi Muhammed El Alabbar garantoi se investimi do jetë me përmasa madhështore.

Projekti i ri do të transformojë portin aktual të Durrësit në një port model, me potenciale dhe kapacitete në Ballkanin Perëndimor. Në projekt përfshihet edhe ndërtimi i Portit të Thatë që do sjellë ndërtimin e hekurudhës që lidh Durrësin me Prishtinën, i cili është parashikuar të ketë një terminal, ku do përpunohen 100 mijë kontejner deri në 2050. Impakti krijon efekt ekonomik zinxhir në krejt bregdetin shqiptar, ku ka nisur ndërtimi i portit të ri turistik të Sarandës, ndërsa brenda vitit 2023 fillon dhe ndërtimi i portit të ri turistik të Shëngjinit.