Aktualitet

Post-BREXIT, Tirana e Londra nënshkruajnë Akordin e Ripranimit!

Shqipëri-Britani firmosin Marrëveshjen e Ripranimit post-BREXIT! Akordi i propozuar nga Londra zyrtare u nënshkrua në Tiranë nga ministrat e Brendshëm: Bledi Çuçi dhe Priti Patel.

Në kuadër të detyrimeve për përafrimin e legjislacionit për Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, akordi u siglua në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për të luftuar emigracionin e paligjshëm, si një prej nën-çështjeve thelbësore ku kërkohet progres i vazhdueshëm.

Marrëveshja u hartua bazuar në modelin komunitar, si edhe duke respektuar parimet e shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat personale.

Në fokus janë procedurat e ripranimit dhe tranzitit në rastet e dëbimit të personave, hyrja ose qëndrimi i të cilëve është i paligjshëm në territoret e shteteve respektive.

Palët zotohen të forcojnë bashkëpunimin teknik e operacional në lidhje me luftën kundër emigracionit të parregullt.

Në bashkëbisedimin me homologen britanike, Çuçi u ndal tek nevoja për thellimin e hetimeve të përbashkëta përmes shkëmbimit intensiv të informacionit, për grupe kriminale që operojnë në të dy vendet apo elementë që përpiqen t’i fshihen drejtësisë. Ministri u shpreh i gatshëm për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën policore, konkretizuar me grupe të përbashkëta hetimore, si dhe e njohu Patelin me punën për reformimin e vazhdueshëm të Policisë së Shtetit.

Ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe rikonfirmoi marrëdhënien e fortë mes dy vendeve dhe vëmendjen e Mbretërisë së Bashkuar për Shqipërinë, në fusha të interesit të përbashkët, si dekurajimi i emigracionit të paligjshëm e bashkëpunimi policor kundër krimit të organizuar.

Më tej, shprehu gatishmërinë për të asistuar Policinë Shqiptare në ngritjen e kapaciteteve, sidomos në fusha që lidhen me teknologjinë dhe inovacionin.