Aktualitet Politikë

PPE lë jashtë PD, Bardhi: Sali Berisha po e izolon Partinë Demokratike!

Rizgjedhja e Sali Berishës në krye të PD i ka dhënë pasojat e para. Partia Popullore Europiane nuk ka ftuar asnjë delegat nga Partia Demokratike në Kongresin që zhvillohet në Roterdam ku votohet Presidenti i PPE, duke i hequr partisë më të madhe opozitare të drejtën e votës në Kongres.

Në dokumentin që Shqiptarja.com disponon, PD nuk ka asnjë delegat, i vetmi vend nga lista e partive që janë pjesë e PPE. Një gjë e tillë ishte paralajmëruar edhe më herët nga deputeti kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum, folës i grupit parlamentar CDU/CSU për çështje të Bashkimit Evropian, i cili tha se nëse kjo forcë politike kthehet te e djeshmja duke nënkuptuar rikthimin e Berishës do të angazhohet për ta pezulluar PD-në nga PPE-ja.

Sali Berisha doli fitues në zgjedhjet e 22 majit 2022 duke u rizgjedhur kryetar i PD-së me 93.45% të votave. Për rizgjedhjet e tij nuk ka pasur asnjë reagim nga ndërkombëtarët, teksa për Berishën kjo nuk është çudi, duke e justifikuar se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë.

Statuti i Partisë Demokratike është në Apel dhe pritet vendimi përfundimtar. Nëse gjyqtarja Blerina Muça do të lërë në fuqi vendimin e Agron Zhukrit, atëherë ai do të jetë kryetar legjitim i PD-së, në të kundërtën nëse vendimi i atij gjyqtari pa vetting do të hidhet poshtë, Berisha do të jetë thjesht një kryetar i zgjedhur nga një palë zgjedhje që i thirri vetë, e që do të jenë të pavlefshme. Berisha nisi betejën e tij për të marrë drejtimin e partisë që themeloi vetë, pasi Lulzim Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar demokrat sepse u shpall ‘Non Grata’ nga SHBA për korrupsion e minim të demokracisë. Që nga 9 shtatori 2021, Berisha nisi një fushatë kundër Lulzim Bashës, duke bërë që ky i fundit të japë dorëheqjen, ndërsa PD u fut në një krizë nga e cila nuk ka dalë ende.

Pas vendimit të Partive Popullove Europiane për të lënë jashtë PD-së nga zgjedhjet për presidentin e ri, ka sjellë edhe reagimin e deputetit Gazment Bardhi, i cili thotë se një gjë e tillë ishte e pritshme.

“Diskutimi për pezullimin e PD nga EPP është një lajm i keq për demokratët, fatkeqësisht i paralajmëruar. SB po e izolon PD për shkak të izolimit të tij. Pushtimi i PD nga SB ka sjell mungesën e ftesave për PD në kongresin e EPP. Kjo është e pamerituar për mijëra demokratëve”, shkruan Bardhi.