Aktualitet Politikë

PPP-të, Ilir Meta: Po asfiksojnë ekonominë shqiptare!

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ngriti shqetësimin e koncesioneve sipas tij “korruptive” e PPP-të, duke thënë se “po asfiksojnë ekonominë shqiptare”. Sot në një dalje për mediat deklaroi:

Koncensionet korruptive dhe PPP-të po e mbysin ekonominë, duke rënduar ndjeshëm buxhetin e shtetit, rritur në mënyrë katastrofike borxhin publik dhe praktikisht duke falimentuar Shqipërinë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, sikundër edhe opozita ka paralajmëruar më herët, ka ngritur së fundmi alarmin e kuq për nivelin e lartë të rrezikut që paraqesin kontratat koncesionare  në ekonominë shqiptare dhe kryesisht në stabilitetin fiskal. Këto praktika shumë të dëmshme për ekonominë e vendit, sikundër projektet korruptive të Partneriteteve Publike-Private (PPP) për investime në infrastrukturë do të pengojnë efikasitetin e investimeve publike dhe do të bëhen shkak për të krijuar detyrime shumë të mëdha, të cilat mund të dëmtojnë seriozisht qëndrueshmërinë e borxhit.

Meta shtoi:

Si asnjëherë tjetër, raporti i fundit i Fondit Monetar për Shqipërinë (FMN), i ka kushtuar vëmendje të lartë edhe ndërtimit e tregut të pasurive të paluajtshme, duke paralajmëruar rreziqet që mund të ketë një kthesë në rënie në ecurinë e çmimeve dhe implikimet për sektorin financiar e bankar.

Mbështes plotësisht shqetësimin e FMN-së mbi rëndësinë e rritjes së vigjilencës ndaj stabilitetit financiar të politikëbërësve, duke pasur parasysh rritjen e shpejtë të kredisë dhe të aktiviteteve të pasurive të paluajtshme.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN dha alarmin e kuq për nivelin e lartë të rrezikut që paraqesin kontratat koncesionare (PPP) në ekonominë shqiptare e kryesisht në stabilitetin fiskal. Klasifikimi i PPP-ve me nivelin më të lartë të rrezikut për ndikimin në buxhet u bë në Deklaratën e Bordit të Drejtorëve të FMN-së, pas vizitës së stafit teknik të Fondit në Tiranë dhe raportin që e shoqëron këtë deklaratë.

Projektet e keq-hartuara të Partneriteteve Publike-Private (PPP) për investime në infrastrukturë mund të pengojnë efikasitetin e investimeve publike dhe të bëhen shkak për të krijuar detyrime të mëdha, të cilat mund të dëmtojnë qëndrueshmërinë e borxhit. Menaxhimi i investimeve publike (PIM) ka nevojë për fuqizim. Një numër i madh rekomandimesh nga Vlerësimi i Menaxhimit të investimeve Publike 2016 (PIMA) ende nuk janë zbatuar nga qeveria e Shqipërisë. Asnjë ndryshim domethënës nuk është bërë në kuadrin ligjor mbi PPP-të. Këto kontrata ishin sa 40 për qind të PBB-së 2022, por vlerat e projekteve ekzistuese dhe atyre në proces, vazhdojnë të hartohen jashtë procesit buxhetor.