Aktualitet

Pranga dy zyrtarëve të Agjencisë së Barnave në Tiranë/Merrnin ryshfet që të mos raportonin shkeljet!

Në Tiranë u arrestuan përgjegjësja dhe specialisti i Agjencisë së Barnave, pasi merrnin ryshfet për të mos raportuar shkeljet që kryheshin nga farmacitë ku kryenin kontrolle në kryeqytet. Pas një hetimi disa mujor, në pranga ranë Besiana Xhelilaj, 38-vjeçe, banuese  në Tiranë, përgjegjëse e Agjencisë së Barnave, Luan Çiçi, 35 vjeç, banues në Tiranë, specialist i Agjencisë së Barnave. Një tjetër punonjës i kësaj agjencie është në kërkim.

Njoftimi zyrtar:

Si rezultat i një hetimi disamujor të ndjekur me metoda proaktive, finalizohet operacioni policor i koduar “Farmacisti”, për gjurmimin dhe goditjen e rasteve të korrupsionit e të shpërdorimit të detyrës. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.

Shpërdoruan detyrën dhe morën para’, për të mos raportuar shkeljet që kryheshin nga subjektet farmaceutike ku ushtronin kontroll, dy në pranga e një në kërkim.

Të arrestuarit janë përgjegjësja dhe specialisti i Agjencisë së Barnave, ndërsa i shpalluri në kërkim, një tjetër specialist.

U vunë në pranga shtetasit:

B. Xh., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, përgjegjëse e Agjencisë së Barnave;

L. Ç., 35 vjeç, banues në Tiranë, specialist i Agjencisë së Barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore-procedurale për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi A. L., 28 vjeç, specialist i Agjencisë së Barnave.

Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Farmacisti”, rezultoi se në cilësinë e punonjësve të Agjencisë së Barnave, ata ushtronin kontrolle në subjekte të ndryshme farmaceutike dhe duke shpërdoruar detyrën, merrnin shuma parash, për të mos raportuar shkeljet ligjore që kryheshin nga këto subjekte.

Më tej, në njoftimin policor thuhet:

Vijon puna për kapjen e shtetasit A. L., si dhe për evidentimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.