Aktualitet

Pranga për mashtrim, premtonte financime nga AZHBR!

Një 39-vjeçare, punonjëse e administratës publike ra në prangat e uniformave blu pasi dyshohet se ka mashtruar disa qytetarë duke iu premtuar grante nga AZHBR, në këmbim të një ryshfeti në vlerë mijëra euro. Viola Sterjo u ndalua me vendim gjykate që e la në masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda. Nga hetimet e kryera rezulton se në periudhën e muajve mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit, Viola Sterjo dyshohet se ka përfituar në qytetin e Korçës, një shumë të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore.

Konkretisht, prokuroria e Korçës ka marrë kallëzimin e një qytetari që pronën e tij në Voskopojë donte të zhvillonte duke ndërtuar një hotel dhe Viola Sterjon, punonjëse e AKSH-it në atë kohë, i kishte premtuar se do të ndërhynte tek AZHBR për të përfituar një grant kundrejt ryshfetit prej 57 mijë eurosh. Po ashtu një qytetar nga Pogradeci kallëzoi se kishte paguar rreth 37 mijë euro punonjëses për të ndërhyrë tek AZHBR që të përfitonte një grant prej 1.2 milion eurosh për të ndërtuar një bujtinë.

Me të njëjtin premtim, ajo i ka marë para’ 90 mijë euro dy personave që do të ndërtonin një resort në Voskopojë duke u premtuar një grant 2 milion euro. Kur granti nuk u fitua pasi as nuk ishte bërë aplikim në emër të tyre,  e dyshuara i ktheu ortakëve vetëm shumën 20 mijë euro
Një tjetër qytetar nga Korça, sipas Prokurorisë së Korçës i ka dhënë Sterjos 160 mijë euro pasi i ka premtuar një grant prej 2.2 milion eurosh. Granti nuk u fitua dhe qytetari kërkoi ryshfetin mbrapsht por Viola Sterjo refuzoi duke i premtuar një grant në vlerë 4.5 milion euro.