Aktualitet

Pranga përmbaruesit në Tiranë, bllokoi llogarinë e një kredimarrësi që ndërroi jetë, pa e njoftuar!

Pranga në Tiranë një përmbaruesi privat, firmosi shkresa dhe vendime sekuestroje për bllokimin e llogarive rrjedhëse të një subjekti privat, pa e njoftuar. Për shpërdorim detyre, policia arrestoi 54-vjeçarin Fatos Alimadhi. Një shtetas kishte marrë kredi në emër të një subjekti e pas disa kohësh ndërroi jetë, por Alimadhi i bllokoi llogaritë familjarëve të të ndjerit, pa lajmëruar. Kur një person nuk jeton më, kredinë e mbulon siguracioni i jetës. Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Account”. Si rezultat i tij u arrestua Alimadhi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” si dhe u proceduan penalisht dy të tjerë.

Njoftimi zyrtar:

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Account”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit:   F. A., 54 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi F. A., gjatë ushtrimit të funksionit si përmbarues privat, duke shpërdoruar detyrën, ka firmosur shkresa dhe vendime për sekuestro për bllokimin e llogarive rrjedhëse të një subjekti privat, pa e njoftuar këtë subjekt.  Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit S. D., dhe P. Q., me detyrë përmbarues privat, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.