Aktualitet

Prangosen dy burrat mbi 60-vjeç që abuzonin seksualisht me 13-vjeçaren në Sarandë/ Njëri oficer policie!

Abuzonin seksualisht me një 13-vjeçare, pranga dy burrave mbi 60-vjeç, njëri prej tyre punonjës policie. Pas hetimit një mujor të rastit të denoncuar në Policinë e Sarandës, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, SHÇBA, arrestoi Petraq Rakon, oficer i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, i arrestuar në 2007-ën për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, por i shpallur i pafajshëm.

Me të u prangos edhe tutori i të miturës, Stefan Koloi, 62-vjeç, banues në fshatin Xarrë, Konispol. Ata përballen me veprat penale “Shfrytëzim i prostitucionit”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, “Prostitucioni” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.

Në emisionin “Fiks Fare” rastin nuk e denoncuan prindërit, por drejtori i shkollës së të miturës. Ai tregoi se nxënësja ishte larguar nga shtëpia dhe jeton me qira në Sarandë. Vajza ishte bërë problem pasi shkonte gjithmonë me vonesë në shkollë dhe aspak e veshur si moshataret, por në mënyrë të papërshtatshme.

Me familjarët e saj, drejtori kishte bërë denoncim në polici dhe u mor vendim që 13-vjeçarja të shkojë në qendër rehabilitimi, por kjo nuk ndodhi. Drejtori kërkoi ndihmën e Fiksit që të shpëtojë të miturën, se siç pohoi, shkolla nuk ka as psikolog që nga muaji shkurt i vitit të kaluar akademik dhe i dukej e palogjikshme që një 13-vjeçare të jetojë e vetme në shtëpi me qira, duke e ditur edhe kushtet sociale të familjes së saj.

Gazetarët e Fiksit shkuan në shtëpinë e vajzës në fshat, ndërsa prindërit invalidë, rrëfyen se vajza nuk i dëgjon më. Ata jetojnë në kushte të vështira ekonomike, vetëm me invaliditetin si burim të ardhurash. Nëna tregoi se e bija punoi dy muaj në verë në një market në Ksamil dhe më vonë nuk donte të jetonte më me ta.

Vajza tentoi të vetëvritet. Na thonte nuk ju kam prindër, për shkak të kushteve të vështira ekonomike.