Bota

Pranimi i mundshëm i Finlandës e Suedisë në NATO, Moska: “Gabim i rëndë, me pasoja!”

“Pranimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të ishte gabim i rëndë, me pasoja të mëdha”. Kështu deklaroi zv.ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov.

Si rezultat i kësaj, tensionet ushtarake do të rriten. Nuk duhet të kenë iluzione se ne thjesht do të dorëzohemi para kësaj.

Më herët, në një bisedë telefonike me homologun finlandez, Sauli Niinistö, presidenti Vladimir Putin foli për një “gabim” të Helsinkit dhe këmbënguli se “Rusia nuk përbën kërcënim për Finlandën”. Të dy vendet ndajnë një kufi prej 1 mijë e 300 kilometrash. Planet për anëtarësim në NATO janë ndikuar shumë nga pushtimi rus i Ukrainës. Finlanda, e cila ka qenë neutrale për dekada, planifikon të aplikojë së shpejti për t’u bashkuar me Aleancën, që aktualisht ka 30 anëtarë.

Edhe Suedia, tradicionalisht e paangazhuar ka vendosur për një kthesë historike, me socialdemokratët në pushtet tani në favor të bashkimit me aleancën ushtarake perëndimore. Ndërkohë, sot nisin manovrat ushtarake më të mëdha në historinë e marrëdhënieve të vendeve baltike me NATO-n, në kuadër të operacionit të pagëzuar me emrin “Hedgehog”.

Për dy javë, stërvitjet në Estoni, përfshijnë 15 mijë ushtarë nga 10 vende, mes tyre SHBA-të, Britania e Madhe, Finlanda e Suedia. Edhe pse të planifikuara shumë përpara pushtimit rus të Ukrainës, manovrat zhvillohen në një kohë tensionesh të veçanta mes NATO-s e Moskës.

Një ditë më parë, Partia Social-Demokrate e Suedisë në pushtet njoftoi synimin e saj për të paraqitur një kërkesë për anëtarësimin e vendit në NATO, një lëvizje që shënon një ndryshim të madh në pozicionin e tyre të gjatë në aleancën e mbrojtjes. Partia e kryeministres suedeze, Magdalena Andersson doli në favor të anëtarësimit të vendit të saj në NATO.

Megjithatë, social-demokratët kanë treguar se nuk duan armë bërthamore apo baza të përhershme të NATO-s në territorin e tyre. Ndryshimi i politikës së partisë vjen si përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës, i cili ka shkaktuar një rishikim të anëtarësimit në NATO si në Suedi ashtu edhe në Finlandën fqinje.