Aktualitet

Presidenca për dekretin e lirimit nga detyra të Begajt: “U hartua në Tiranë”!

Këshilltari për Mediat dhe zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi bëri të ditur sot se “propozimi i Kryeministrit Edi Rama dhe kërkesa për dorëheqje e shefit të Shtabit të Përgjithshëm nga detyra dhe lirimin nga shërbimi aktiv është administruar në Tiranë, është shqyrtuar nga stafi i Presidentit të Republikës në selinë e tij, po në Tiranë”.

Në sqarim të opinionit publik, mbi firmosjen e dekretit për lirimin nga detyra të Bajram Begajt që mbante postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm nga presidenti Ilir Meta, teksa ishte në Stamboll, Blushi thekson:

Pasi u arrit në përfundimin se, propozimi i Kryeministrit dhe dorëheqja e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm duheshin pranuar, pa vonesë dhe që Presidenti Meta të mos bëhej pengesë për ecurinë e procedurave parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri, praktika administrative dhe Dekreti i Presidentit u punuan në Tiranë, u hartuan në Tiranë, u numërtuan në Tiranë dhe i janë përcjellë Presidentit, i cili e ka shprehur vullnetin e Tij publikisht, përmes nënshkrimit të aktit.

Një kopje e dekretit të nënshkruar është administruar elektronikisht në Tiranë, në selinë e Presidentit, nga ku sipas procedurave ligjore administrative është sekretuar dhe kopje e këtij dekreti e vulosur me shkresë zyrtare të Sekretarit të Përgjithshëm të Institucionit të Presidentit i është përcjellë zyrtarisht autoriteteve kërkuese (Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes).

Forma, përmbajtja dhe ekstremitetet e dekretit të Presidentit të Republikës nuk ndryshojnë, pavarësisht vendit nga ku është bërë publik vullneti dhe nënshkruar ky akt.

Miratimi i një dekreti Presidencial, si formë e shprehjes së vullnetit mund të bëhet kudo, por shqyrtimi i praktikës dhe hartimi i aktit, plotësimi i ekstremiteteve, numërtimit, protokollimit, sekretimit, njehsimit, etj, janë veprime administrative që kryhen në Tiranë, në selinë e Institucionit të Presidentit të Republikës nga ku kryhet sipas ligjit dhe përcjellja zyrtare e aktit nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit për zbatim tek autoritetet përgjegjëse apo kërkuese.

Nëse ndokush dëshiron të njihet me dekretin edhe në format shkresor, mund të paraqesë një kërkesë për një kopje te njehsuar të këtij akti dhe mund ta sfidojë atë sipas dëshirës në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Administrative apo në çdo organ ku ai e konsideron të aplikueshme dhe të realizueshme të drejtën e tij.

Presidenti i Republikës ka përgjegjësinë kushtetuese të ushtrojë kompetencat e tij, në përputhje me Kushtetutën dhe në respekt të parimit të luajalitetit kushtetues ka ofruar dhe do të ofrojë gjithmonë mbështetje të sinqertë për ruajtjen e kushtetushmërisë, si dhe duke mos u bërë pengesë pa ndonjë shkak të ligjshëm apo kushtetues për procedurat parlamentare.

Presidenti Meta, jo vetëm në këtë rast, por asnjëherë nuk i është bërë pengesë autoriteteve/funksionarëve të lartë shtetërorë që me vullnetin e tyre të lirë heqin dorë nga mbajtja e një detyre publike.

Për më tepër që në rastin konkret bëhej fjalë për Presidentin e ri të Republikës. Na vjen keq për të gjithë ata që humbën rastin ti mbanin iso këngës “Presidenti i vjetër bllokoi ardhjen e Presidentit të ri”! Kushtetuta e para!