Bota

Presidenti amerikan Biden sërish pozitiv me COVID, kthehet në izolim!

Joe Biden përsëri pozitiv në testin për COVID-19, pak më shumë se tre ditë nga dalja prej izolimit. Shtëpia e Bardhë flet për një rast të rrallë “riinfektimi” pas trajtimit me një ilaç antiviral. Vetë presidenti amerikan njofton se nuk ka simptoma, por se do të izolohet për sigurinë e të gjithëve atyre që e rrethojnë.

Nuk kam asnjë simptomë dhe do të izolohem për hir të sigurisë të të gjithë personave përreth meje. Unë ende jam duke punuar e do t’i rikthehem terrenit shumë shpejt!

Në përputhje me udhëzimet e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Biden do të jetë në izolim për të paktën pesë ditë, duke qëndruar në Shtëpinë e Bardhë derisa të dalë negativ.

Njoftimi se presidenti amerikan rezultoi pozitiv, u bë vetëm dy orë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi një vizitë të planifikuar të tij në Michigan për pas dy ditësh, që të fliste mbi miratimin e një projektligji. Në fokus, nxitja e prodhimit amerikan të teknologjisë së lartë.  Ndërkaq, për sot në mëngjes, 79-vjeçari Biden planifikonte të vizitonte shtëpinë e tij në Wilmington, Delaware. Aty po qëndron Zonja e Parë, Jill Biden në pritje që bashkëshorti të negativizohet. Lëvizjet e paralajmëruara si pjesë e axhendës zyrtare u anuluan.

Presidenti Joe Biden u trajtua me ilaçin antiviral Paxlovid, pasi për herë të parë doli pozitiv në datën 21 korrik, pra dhjetë ditë më parë. Por, në testin e radhës, numri një i Shtëpisë së Bardhë rezultoi negativ për virusin të martën më 26 korrik e po ashtu të mërkurën e kaluar, në datë 27.

Më pas, la izolimin, por vijoi të mbante maskë në mjedise të mbyllura. Tashmë, pritet testi i radhës për të mësuar më shumë. Ndërkohë, autoritetet shëndetësore amerikane thonë se pavarësisht numrit të lartë të infektimeve në këtë periudhë, rastet nuk cilësohen të rënda, por me simptoma të lehta.