Aktualitet

Presidenti Begaj dekreton paketën e plotë të reformës së pagave!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj sot firmosi paketën e plotë të reformës së pagave. Nga Presidenca u bënë publike tre dekretet përkatëse të firmosura nga kreu i shtetit. Në seancën plenare të 25 majit u miratua paketa e ligjeve të reformës së pagave. Me 93 vota pro dhe 2 kundër, Kuvendi kaloi një ndryshim në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Po ashtu miratoi me 95 vota pro dhe 3 kundër ndryshimet në ligjin “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”.

Me 97 vota pro dhe 2 kundër, Kuvendi miratoi projektligjin “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”.

Kryeministri Edi Rama tha se kur kjo maxhorancë ka marrë drejtimin e vendit, paga mesatare ishte 259 euro, ndërsa në prillin e vitit që vjen do të shkojë 900 euro.

Eshtë koha që pagat të zënë vendin që njerëzit meritojnë në këtë fazë. Nuk jemi të kënaqur, nuk mbaron këtu, por këtu ndalojmë një moment për të vlerësuar faktin.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj:

Synojmë të përmirësojmë hierarkinë, për të tërhequr e mbajtur në administratë punonjësit e kualifikuar. Realizojmë një lidhje të drejtpërdrejtë midis pozicionit të punës dhe përgjegjësisë përkatëse me pagën. Po japim një pagë më të mirë për pozicionet e punës dhe do të presim një punë më të mirë për çdo pagë. Kjo reformë mundëson që për çdo dy lekë që mblidhen në buxhet, nga tatimet dhe taksat, një lek shkon për transferta direkte te qytetarët.

Paga bruto e Presidentit nga 257 mijë lekë aktualisht, shkon në 425 mijë lekë ose 65.3% më shumë. Mjekut specialist i shkon paga bruto 174 mijë lekë ose 115 mijë lekë në muaj më shumë se më 2013-ën, mjekut të përgjithshëm i shkon paga 137 mijë lekë apo 77 mijë lekë më tepër se 10 vjet më parë. Infermierit i shkon paga në 87 mijë lekë ose 25 mijë më shumë se në vitin 2013. Po krahasuar me 2013-ën, mësuesit në arsim parauniversitar i shkon paga 99 mijë lekë ose 40 mijë më shumë. Në Policinë e Shtetit, paga e një komisari shkon 105 mijë lekë, 36 mijë lekë më shumë se më 2013-ën. Ndërsa inspektori i parë i Policisë së Shtetit do të përfitojë një pagë prej 90 mijë lekësh në muaj ose 37 mijë lekë më shumë se më 2013-ën.