Bota

Presidenti Biden: “Duhet të shqetësohemi nga lija e majmunëve!”

Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi se “duhet të jemi të shqetësuar” për shpërthimin global të lisë së majmunëve, pasi po shtohet numri i rasteve me këtë virus.

Jemi duke punuar shumë, për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë!

Komentet e shefit të Shtëpisë së Bardhë, i cili pas Koresë së Jugut viziton sot Japoninë, vijnë ndërsa virusi vazhdon të përhapet dhe Greqia fqinje me Shqipërinë e Izraeli janë dy shtetet më të fundit që raportuan rastet e para. Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, deri tani ka identifikuar rreth 80 raste me linë e majmunëve në mbarë globin, si dhe afro 50 të tjera të dyshimta.

Më parë, sëmundja infektuese raportohej vetëm në mesin e njerëzve me lidhje mes tyre në Afrikën Qendrore e atë Perëndimore. Por, në javët e fundit ka pasur raportime për të tilla raste në Britaninë e Madhe, Spanjë, Portugali, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Suedi, Kanada, Australi, etj.

Fillimisht, virusi u identifikua te kafshët e egra dhe mes simptomave janë të ngriturat në pjesë të ndryshmë të trupit, ethe e temperaturë. Shkalla e vdekshmërisë nga kjo sëmundje luhatet nga një deri në dhjetë për qind, e shumica e vdekjeve evidentohen te pacientët në moshë të re. Aktualisht, nuk ka trajtim për linë e majmunëve, por vaksinat kundër llojeve të tjera të lisë, besohet se ofrojnë mbrojtje nga ky virus.

Paralajmërimi i Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar thotë se rastet e fundit kanë qenë kryesisht në mesin e burrave që janë vetidentifikuar si homoseksualë, biseksualë. Këto grupe duhet të kenë kujdes. Këtë javë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH deklaroi “shkencëtarët po bëjnë disa studime”. Një skenar i mundshëm pas rritjes së numrit të rasteve është shtimi i udhëtimeve, për shkak të heqjes së kufizimeve që ka imponuar pandemia COVID-19. Lia e majmunëve alarmon virologët.