Bota

Presidenti Biden paralajmëron homologun Putin për Ukrainën!

Ukraina dominoi bisedën telefonike të presidentëve Biden e Putin dhe mësohet se shefi i Shtëpisë së Bardhë i kërkoi kolegut të Kremlinit, “zbutjen e tensioneve”.

Njoftimi i Uashingtonit zyrtar:

Biden i bëri të qartë presidentit Putin se Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e tyre do të përgjigjen me vendosmëri nëse Rusia pushton më tej Ukrainën! Çdo ndërhyrje ushtarake ruse në Ukrainë do të çonte në sanksione të ashpra ndaj Moskës dhe një zgjerim të pranisë së Aleancës Veri-Atlantike në vendet e saj anëtare lindore. Tashmë, Ukraina mund të llogarisë edhe ndihmë të mëtejshme, duke përfshirë forcat e saj të armatosura e mbrojtjen kombëtare.

Në telefonatën që zgjati një orë, raportohet se Biden bëri presion edhe për një zgjidhje diplomatike e shprehu mbështetjen për bisedimet me NATO-n dhe OSBE-në, të planifikuara për fillimin e vitit të ardhshëm. Thirrja erdhi përpara bisedimeve në Gjenevë më 10 janar, gjatë të cilave diplomatë nga të dy vendet do të takohen për të diskutuar mbi ngërçin.

Këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov tha se nëse “negociatat janë të suksesshme, ato mund të çojnë në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe”.

Putin u shfaq i gatshëm të bënte lëshime ndaj kërkesave të tij për garanci të detyrueshme sigurie nga NATO, të përshkruara në një projektmarrëveshje të paraqitur dy javë më parë. Presidenti rus bëri thirrje për t’i dhënë fund zgjerimit të NATO-s drejt Lindjes, të cilën Moska e sheh si një kërcënim. Moska do të marrë parasysh konsideratat e SHBA-ve dhe partnerëve në vendet perëndimore në negociata. Rusia do të insistojë ende në garanci për sigurinë e saj dhe Putin e ka diskutuar këtë me Biden.

SHBA-të akuzojnë Rusinë për një grumbullim masiv të trupave pranë Ukrainës, ndërsa Rusia akuzon Ukrainën për rritjen e pranisë së saj ushtarake në rajon. Të dy vendet kanë një përgjegjësi të veçantë për stabilitetin ndërkombëtar e rajonal.