Rajoni

Presidenti francez Macron: Kosova mban përgjegjësinë për trazirat në veri!

Në një linjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të tjera vende, edhe Franca e tregon gishtin e fajit për nga autoritetet e Kosovës për tensionet në veriun me shumë serbe. Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi:

Autoritetet e Kosovës mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm në veri që nga koha kur kryetarët e rinj shqiptarë kanë marrë detyrën në komunat me shumicë serbe.

Shefi i Elizesë, Macron i bëri këto komente në një konferencë për sigurinë në Bratisllavë të Sllovakisë ku mori pjesë dhe kryeministri Albin Kurti, i cili mbrojti veprimet e Policisë së Kosovës si “profesionale” e vuri në dukje se nuk mund t’iu thotë kryetarëve të rinj të kalojnë në zyra të tjera, pasi do të ndikonte në krijimin e strukturave paralele në veri.

Nëse tani do t’i urdhëroja kryetarët të kalonin në zyra të tjera do t’i binte sikur po angazhohem në krijmin e strukturave paralele ndaj strukturave paralele.

Kurti iu referua strukturave paralele serbe që veprojnë në veri të Kosovës që nga paslufta.

Unë nuk mund të ulem në zyrë si kryeministër dhe t’iu them kryetarëve në veri: ju nuk duhet të qëndroni në objektet e komunës! Unë e di se mund të qëndrojnë shumë më shkurt nga sa është mandati i tyre, ata janë teknikë, administrativë.

Nëse duan protesta paqësore, me kërkesën për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që gjithë jetën ka qenë aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë e ndoshta të pajtohet me ta.

Amerika tha se qeveria shpërfilli këshillat e ndërkombëtarëve për të mos përdorur forcën në vendosjen e kryetarëve shqiptarë ndaj e përjashtoi Kosovën nga stërvitja Defender Europe, çka për Albin Kurtin është “brengosëse”, por se nuk ndihet “i frikësuar”. Ai shtoi se po punojnë për të gjetur zgjidhje lidhur me këtë.