Aktualitet Politikë

Presidenti i ri, Taulant Balla: “Kemi listën përfundimtare të emrave!”

“Partia Socialiste ka një short-list  të emrave për Presidentin e ri të Republikës, që pas shqyrtimit nga Kryesia do të marrë vendimin përfundimtar të grupit parlamentar”. Nga Fieri, kjo u theksua sot nga kryetari i grupit, Taulant Balla, i cili në një prononcim për gazetarët deklaroi:

Mos hyni te diskutimi i emrave edhe për pak orë. PS do të mbledh Kryesinë në orën 17.00 e do të ketë disa diskutime që i kemi zhvilluar në disa mbledhje të njëpasnjëshme. Në fund të këtij procesi do të shkojmë edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, nga ku buron edhe mbështetja që përcakton Kushtetuta. Duhen 20 firma deputetësh që të hysh në garë.

Mua nuk më lejohet të hyj në asnjë diskutim emrash në këto momente sepse askush prej nesh nuk ka të drejtën të kalojë mbi kompetencën e Kryesisë e të grupit parlamentar.

I pyetur nëse mes emrave është Fatos Nano, Balla tha:

Një koleg me pyeti për Gramoz Ruçin, ju më pyesni për Fatos Nanon. Natyrshëm që për mua janë gjithmonë emra që e meritojnë të jenë Presidentë të Republikës, por duhet të jemi shumë korrektë. Kryesia e Partisë Socialiste dhe grupi parlamentar janë dy institucionet që mblidhen për të diskutuar për emrin që do të propozojmë zyrtarisht dhe ai do të jetë Presidenti i ri, përsa kohë që opozita për asnjë moment nuk e mori përgjegjësinë e një procesi që duhej të ishte i përbashkët.

Ata të vinin me propozime, ne i garantuam që propozimet e tyre do t’i marrim seriozisht. Nuk donin të bëheshin pjesë e këtij procesi. Tani, raundin e 4-rt e kemi ne dhe kam bindjen e plotë se nesër në orën 18:00 do të zgjidhet Presidenti i ri, i cili merr detyrën më 24 korrik.

Nëse mund të jetë Majlinda Bregu propozim i PS-së, duke qenë se opozita nuk e propozoi, Taulant Balla u shpreh:

Unë përsëri do të vazhdoj të insistoj që emri që ju përmendni apo emra të tjerë janë shumë të vlerësuar, ndaj nuk kemi dashur të bëjmë një debat publik për to. Mund të kishim bërë një negociatë të mbyllur sepse duhet të tregojmë respekt për njerëzit që janë pjesë e kësaj gare. Hedhja me pa të drejtë e shumë emrave, nuk i bën mirë kredibilitetit të procesit. Ne do të shkojmë nesër maksimumi në orën 12:00 me një emër të depozituar bashkë me firmat mbështetëse.