Rajoni

Presidenti i Sllovenisë, Pahor: “Mbështes Ballkanin e Hapur!”

Nismat për bashkëpunim ballkanik, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor i cilëson “tejet të rëndësishme”. Pahor konfirmon përkrahje edhe për “Ballkanin e Hapur”.

Unë mbështes fuqishëm të gjitha iniciativat që i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon. Mbështes Procesin e Berlinit, Procesin e Bashkëpunimit të Shteteve të Europës Juglindore (SEECP), Këshillin Rajonal të Bashkëpunimit (RCC), por gjithashtu mbështes “Ballkanin e Hapur. Për më tepër, iniciativa e “Ballkanit të Hapur” ka potencialin për të rritur bashkëpunimin ekonomik mes shteteve, në një nivel krejt të ri, ku do të përfitonin të gjithë.

Presidenti slloven është i bindur se “Ballkani i Hapur”, “do të kontribuonte te secili shtet, individualisht, që të përgatitet më mirë për Bashkimin Europian”.

Iniciativa e “Ballkanit të Hapur” nuk është alternativë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Asnjë bashkëpunim rajonal nuk është alternativë për anëtarësim në BE.

12 vjet më parë, kam iniciuar Procesin e Brdo-Brijuni/it, një platformë për liderët e rajonit që të diskutojnë hapur çështje të ndryshme që i shqetësojnë. Do të doja t’ua kujtoja se Procesi i Brdo-Brijuni/it ishte forumi i parë ndërkombëtar ku Prishtina dhe Beogradi përfaqësoheshin në nivelin më të lartë dhe uleshin në të njëjtën tryezë. Procesi i Berlinit u zhvillua mbi bazën e asaj përvoje.

Për Pahor-in, “më shumë BE në Ballkan, nënkupton më pak Federatë Ruse”. Sipas kreut të shtetit slloven, “përgjigjja kundër ndikimit rus në Ballkan, është integrimi sa më i shpejtë i këtij rajoni në strukturat e Bashkimit Europian”.

Ka një shqetësim se lufta në Ukrainë mund të rrëshqasë në Ballkanin Perëndimor. Rajoni ka përjetuar luftën jo shumë kohë më parë dhe situata e sigurisë në shumë vende të Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë e brishtë. Prandaj, unë argumentoj për një zgjerim më të shpejtë të BE-së. Sa më shumë që BE-ja do jetë prezente në Ballkanin Perëndimor, aq më pak hapësirë ka për Federatën Ruse. Siç e them shpesh, BE-ja është përgjigja për të gjitha pyetjet në Ballkanin Perëndimor.