Aktualitet

Presidenti italian Mattarella në Tiranë: Mbështesim integrimin europian të Shqipërisë!

Në Tiranë, ku sot takoi homologun Bajram Begaj, presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella theksoi angazhimin italian për të qenë gjithmonë mbështetës në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Në konferencën me Begajn, Mattarella theksoi:

Jemi të gatshëm për ta thelluar më tej bashkëpunimin me qeverinë shqiptare. Shqipëria është partnere mjaft e rëndësishme në Ballkan.

Po ashtu, foli për shkëmbimin kulturor e të qytetërimit mes dy vendeve:

Bashkëpunimi kulturor është shumë i rëndësishëm. Kujtojmë komunitetin arbëresh në Itali,  që ka ruajtur traditat dhe zakonet specifike, të kontribuojmë për ta kultivuar këtë miqësi edhe në brezat e rinj.

Italia është e gatshme që të kontribuojë edhe në vendet që mbrohen nga UNESCO në Shqipëri. Shqipëria është kryesore në Europë, jo vetëm për marrëdhënien me Italinë, por edhe me Europën. Ne do të jemi gjithmonë mbështetës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Ndërkohë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj deklaroi:

Në rrugëtimin e saj euroatlantik, Shqipëria ka qenë me fat që ka gjetur tek Italia, një  mike të vyer e mbështetëse të pakursyer të përpjekjeve për integrim. Ne jemi mirënjohës që prej vitesh, politika e jashtme italiane e ka përcaktuar si prioritet të saj integrimin e Ballkanit Perëndimor, duke mbetur e palëkundur në politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian. Hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian shënon një stacion të rëndësishëm në rrugëtimin tonë, që kërkon përkushtim të shtuar në një proces transformues për të gjitha institucionet dhe ekonominë.

Me presidentin Mattarella biseduam për rëndësinë e vijimit të mbështetjes italiane, si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë teknik, në përmbushjen e detyrimeve për anëtarësim e përshpejtimin e këtij procesi.

Prej dekadash, marrëdhënia me Italinë është e një rëndësie parësore për ne, e ngritur në nivelin e një partneriteti strategjik. Italia është partneri ynë i parë tregtar, ndër donatorët kryesorë dhe nga investitorët më të rëndësishëm, si për nivelin e financimeve, ashtu edhe për spektrin e ndihmës së ofruar.

Kreu i shtetit italian, i cili u prit me një ceremoni shtetërore në Pallatin e Brigadave, vijon takimet me të tjerë zyrtarë të lartë të vendit, përfshirë kryeministrin Rama.