Aktualitet

Presidenti Meta dekreton 6 marsin për zgjedhjet e pjesshme vendore!

Pak para mesnatës, Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi datën 6 mars për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore, në 6 bashkitë pa kryetarë. Bëhet fjalë për bashkitë Durrës, Shkodër, Vorë, Dibër, Rrogozhinë e Lushnje. Meta u shpreh se “afati ligjor prej 45 ditësh do t’i japë kohë opozitës që të përgatitet për zgjedhjet”. Njoftimin e dha në emisionin televiziv “Opinion”.

Dekretoj 6 marsin si datë të zgjedhjeve të pjesshme lokale. Unë e kam të vështirë të them se çfarë do të bëjnë demokratët apo qytetarët, por mora garanci që PS nuk do bojkotojë. Do votohet në 6 bashki, për vakancat në bashkitë e vendit. KQZ ka sjellë vakanca për 3 bashki, ndërsa qeveria ende nuk ka sjellë informacion për bashki të tjera.

Qeveria ka sjellë po 3 bashki të tjera. Por, unë pres edhe përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Lidhur me përplasjet në PD, Meta tha se e ka të vështirë të caktojë se kush do te jete opozita! Sipas Presidentit, zgjidhja e vetme për situatën në PD është vota.

Opozita nuk është as në seli dhe as në Kuvend. Opozita është populli, janë qytetarët. Unë nuk e caktoj dot se kush është dhe kush do të jetë opozita.

Personat me të drejtë vote në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë do të thirren më 6 mars, t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e tyre të bashkive, pozicione vakante për arsye të ndryshme. Nga 6 bashki, Shkodra është e vetmja që drejtohet nga një kryetare me mandat të përfunduar kushtetues, pasi Voltana Ademi vendosi të qëndrojë në detyrë, ndërsa 5 bashkitë e tjera vijojnë punën me kryetar të komanduar.

VAKANCAT NË BASHKI:

SHKODER: Valdrin Pjetri, për shkak të dekriminalizimit; vakant që prej datës 15 gusht 2019

VORE: Agim Kajmaku, për shkak të dekriminalizimit, vakant që prej datës 1 nëntor 2019

DURRES: Valbona Sako, për shkak të dorëheqjes; vakant që prej datës 1 dhjetor 2019

DIBER: Dionis Imeraj, Dibër, dha dorëheqjen pasi kandidoi për deputet; vend vakant që prej datës 8 mars 2021

RROGOZHINE: Haxhi Memolla, Rrogozhinë, ndahet nga jeta; që prej datës 22 shkurt 2020

LUSHNJE: Fatos Tushe, u shkarkua nga Qeveria, pasi u mor i pandehur nga SPAK për korrupsion, vakant që prej datës 7 korrik 2021

Pas njoftimit në emision, Meta e zyrtarizoi dekretin rreth orës 10:00 e në një postim në “Facebook” shkruan:

Të dashur qytetarë,
Sapo dekretova caktimin e datës 6 mars 2022, për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë.
Uroj që ky proces të jetë një shembull i besimit te demokracia dhe vota e lirë!