Politikë

Presidenti Meta kthen Kodin Zgjedhor në Kuvend

Pa surpriza, Presidenti Ilir Meta i kthen Kuvendit ndryshimet në Kodin Zgjedhor për listat e kandidatëve për deputetë e koalicionet. Meta jep 14 argumenta ku në secilin i referohet ndryshimeve si “të njëanshme”. Kreu i shtetit vlerëson se dëmtojnë rëndë klimën e bashkëpunimit politik, si dhe i konsideron në kundërshtim flagrant me parimet e standartet europiane të vendosura nga Komisioni i Venecias për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, të lira e të ndershme.

Ndër të tjera, presidenti Meta shpreh shqetësimin se ndryshimet e Kodit Zgjedhor cënojnë Marrëveshjet Politike të 14 Janarit e 5 Qershorit, të cilat siç thotë “kishin si qëllim të garantonin një minimum standardesh për zgjedhjet në Shqipëri”. Për Presidentin, “Ndryshimet e Kodit përpiqen të krijojnë një ambjent elektoral rregullash që favorizon Maxhorancën qeverisëse ku përmes rregullave ambigue e të fshehura, ato do të ndikojnë në leximin real, të qartë e objektiv të vullnetit të sovranit në këtë proces zgjedhor”.

Presidenti Meta nuk u mjaftua vetëm me mosdekretimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, por bën të ditur se i është drejtuar dhe Komisionit të Venecias për opinion, siç iu sugjerua nga kryedemokrati Basha. “Në respektim të kërkesës zyrtare që më është paraqitur nga Kryetari i Opozitës së Bashkuar për marrjen e një opinioni pranë Komisionit të Venecias, si President i Republikës, në datën 21 tetor 2020, i jam drejtuar me një kërkesë urgjente Komisionit Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisionit të Venecias) për një opinion të specializuar dhe objektiv mbi këtë proces”, – shkruan Meta.