Aktualitet

Presidenti Meta kthen për rishqyrtim ligjin për Butrintin!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi sot kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”. Në argumentet e tij, kryetari i shtetit thekson se “ligji cënon dispozitat konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës”.

Ligji cënon Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO. Ai bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij.

Sipas presidentit Ilir Meta, “procedura e ndjekur, nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, duke sjellë kështu një produkt jo cilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje”.

Kjo procedurë shmang auditimin përmes institucioneve të pavarura kushtetuese të veprimtarisë ekonomike-financiare në lidhje me të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrën e përdorimit të tyre. Për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamenti Evropian.

Pas miratimit në muajin maj të këtij ligji nga Kuvendi i Shqipërisë, ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi se “Parku i Butrintit ka qenë e do të vazhdojë të jetë pronë e shtetit shqiptar”.

Plani i integruar i menaxhimit të Parkut të Butrintit nuk është formë koncesioni, por administrimi dhe menaxhimi indirekt. Plani për menaxhimin e integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit është konsultuar me mbi 80 ekspertë shqiptarë, ndërsa në të, janë reflektuar edhe sugjerimet e Institutit të Arkeologjisë.