Aktualitet

Presidenti Meta, mesazh urimi Emmanuel Macron-it për rizgjedhjen në krye të Francës!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta është mes liderëve që uron presidentin e rizgjedhur të Francës, Emmanuel Macron për fitoren e mandatit të dytë, në balotazhin presidencial të një dite më parë.

Rizgjedhja Juaj si President i Francës, më jep kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të përzemërta e të sinqerta për përmbushjen me sukses të misionit Tuaj në drejtimin e Republikës Franceze!

Meta shpreh besimin se “marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Francës, miqësia, bashkëpunimi dhe partneriteti euroatlantik do të rriten e forcohen edhe më shumë”, gjatë mandatit të ri të Macron-it.

Bashkëpunimi i ngushtë dypalësh edhe shumëpalësh është shumë i rëndësishëm sot, si në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ashtu edhe si vende të NATO-s, veçanërisht në përballjen me sfidat rajonale, europiane dhe globale që të dy vendet tona kanë përpara.

Ndërsa shpreh mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Shqipërisë e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përgjatë procesit të integrimit në Bashkimin Europian, kreu i shtetit thekson:

Shpresoj fort se, rizgjedhja Juaj si President i Francës do të nxisë edhe më fort mbështetjen që ky proces i rëndësishëm gjeostrategjik rajonal dhe europian të përfundojë me sukses dhe në kohën e duhur.

Më herët ishte kryeministri Rama, i cili uroi Macron-in.

Sapo e kam uruar Presidentin e rizgjedhur të Francës, Emmanuel Macron, të cilin uroj që së shpejti ta mikpresim në Shqipëri, në vizitën e parë të një kreu të shtetit francez në vendin tonë.

Shefi i Elizesë ishte favorit përballë rivales së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e cila pranoi humbjen. Fitorja e Macron-it përbën lehtësim për Europën pasi në rast triumfi të Le Pen-it, e priste një rezultat po aq shokues sa kur u përball me referendumin britanik të qershorit 2016 kur qytetarët i thanë “PO” daljes së Britanisë së Madhe nga Unioni.

Macron e nisi fjalimin e fitores duke falënderuar mbështetësit dhe popullin francez. Ai deklaroi se është i vetëdijshëm se disa e kanë votuar për të bllokuar të djathtën ekstreme.

Nga tani e tutje, unë nuk jam kandidat i një kampi, jam president i të gjithëve! U them atyre që kanë votuar për të djathtën ekstreme që do të jetë përgjegjësi e imja dhe ekipit tim, t’iu adresojmë shqetësimet!