Aktualitet Politikë

Presidenti Meta për zhvillimet politike: “Nuk do të realizohet skenari i zi për të lënë vendin pa opozitë!”

Nga Pogradeci ku mori pjesë në “Mëngjesin e Lutjeve”, Presidenti i Republikës u pyet për çështjen e shkarkimit të tij, pasi pritet që më 14 tetor, Komisioni i Venecias të japë opinionin e Kushtetuesja të vendosë. Pas shkarkimit nga Kuvendi i Shqipërisë më 9 qershor, fjalën e fundit e ka gjykata, por Ilir Meta nuk duket i shqetësuar.

Nuk ekziston një çështje e tillë, ajo është vetëm politike, kështu që jam tepër i qetë dhe i pashqetësuar për sjelljen e të tjerëve, sepse sjelljet e mia kanë qenë tërësisht në respekt të Kushtetutës. Jam shumë krenar për të gjithë veprimtarinë time në mbrojtje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila është sulmuar në mënyrën më armiqësore, por edhe më tradhëtare nga faktorë të jashtëm, edhe të brendshëm, për ta patur sot vendin në një situatë aspak të dëshirueshme, në raport edhe me proceset e integrimit europian.

Kuvendi duhet të kishte çelur negociatat me kohë, në rast se do të ishin marrë në konsideratë propozimet dhe përpjekjet prej vitesh të Presidentit, për të kapërcyer krizat e mirëstrukturuara, si të zgjedhjeve të paligjshme vendore, ashtu edhe të kapjes me çdo çmim të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë kriminale, siç ka faktuar edhe vetë Komisioni i Venecias në të kaluarën.

I pyetur lidhur me “Foltoren” e Sali Berishës, Kryetari i Shtetit u shpreh:

Nuk dëshiroj të komentoj zhvillimet e brendshme, në asnjë forcë politike. Ato duhet t’i zhvillojnë debatet e tyre në mënyrë demokratike, në respekt edhe me parimet e shtetit të së drejtës, edhe të Kushtetutës së vendit, por edhe normat demokratike. Shpresojmë që të gjithë t’u përmbahen parimeve më themelore të demokracisë e të shtetit të së drejtës!

Sa i përket deklaratave të Berishës për një marrëveshje Basha-Rama, Meta nënvizoi se nuk dëshiron të bëhet pjesë e këtyre debateve.

Ato janë çështjet e tyre, për mua ka rëndësi që të gjithë të respektojnë Kushtetutën, parimet demokratike dhe dinjitetin e çdo qytetari të Republikës.

Presidenti Meta kishte këtë përgjigje nëse në këto vite demokraci, a e ka parë ndonjëherë tjetër vendin me një opozitë kaq të dobët?

Jam i bindur se nuk ka përpjekje në botë që të realizojë atë skenar të zi, për ta lënë Shqipërinë pa opozitë, një skenar që luhet prej shumë vitesh. Jam i sigurt që shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë që të kthehen në modele, që i takojnë jo vetëm ndonjë kontinenti tjetër, kurrsesi kontinentit ku jetojmë. Përkundrazi, shqiptarët kanë një potencial të jashtëzakonshëm për të ecur përpara dhe këtë potencial e garanton vetëm demokracia e vërtetë dhe demokracia që është nën kontrollin e shqiptarëve e votës së tyre të lirë.