Aktualitet Politikë

Presidenti Meta: “Vazhdon Marrëveshja e 17 Majit Rama-Basha!”

Pesë vjet nga Marrëveshja Rama-Basha e 17 Majit 2017, Presidenti i Republikës, Ilir Meta e sulmoi sot në një konferencë për shtyp, duke e quajtur “të turpshme” ndërsa djegien e mandateve e bojkotin e zgjedhjeve vendore që e pasuan, “pjesë të saj”.

Ajo marrëveshje e turpshme dhe tinëzare, e realizuar në errësirë të plotë 5 vite më parë, tashmë është ekspozuar në dritën përvëluese të diellit për qytetarët e Shqipërisë. Ajo nuk ishte vetëm një marrëveshje kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme, por vijoi edhe gjatë fushatës zgjedhore e më pas. Vijoi përgjatë pesë viteve dhe ende gëlon.

Djegia e mandateve parlamentare të opozitës ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje, duke i garantuar pushtetin kapjen e plotë të të gjithë pushteteve.

Pjesë e marrëveshjes ishte edhe bojkoti i zgjedhjeve vendore, duke i ofruar partisë-shtet kontrollin mbi të gjitha bashkitë e këshillat bashkiake.

Pjesë ishte edhe mosregjistrimi i PD-së në KQZ më 13 tetor 2019. Ishte pjesë e asaj marrëveshje që të kalonin me nxitim dhjetëra koncesione korruptive, pronat e shqiptarëve shkuan si dhuratë për oligarkët.

Po kështu, shembja e Teatrit Kombëtar pikërisht më 17 maj ishte pjesë e një bashkëpunimi të qartë e tashmë është pjesë e një politike të strukturuar për të zhbërë identitetin dhe për të nxjerrë në ankand trashëgiminë.

Edhe shitja e zgjedhjeve të 25 prillit, duke prishur në heshtje edhe Marrëveshjen e 5 Qershorit, ishte pjesë e marrëveshjes së pesë viteve më parë.

Ndër të tjera, kreu i shtetit shfrytëzoi konferencën e sotme për t’iu përgjigjur apeleve të kryeministrit Rama, i cili i bëri thirrje SPAK-ut ta hetojë.

Pas 24 korrikut, në SPAK do të shkojnë dhjetëra persona, për të gjithë mullarët e korrupsionit, me fakte, jo deklarata. U bën thirrje të hetojnë Saliun e Ilir Metën para 20 vitesh kur ishte kryeministër, po kush e ka ndaluar këtë?! Bën këtë thirrje që të mos hetojnë grupin kriminal që ka kapur Shqipërinë.