Aktualitet

Presidenti Meta: Zgjerimi i BE-së, instrument i fortë gjeostrategjik!

Presidenti Ilir Meta iu adresua sesionit përmbyllës të Forumit IX Global të organizuar nga Qendra Ndërkombëtare “Nizami Ganjavi” në Baku të Azerbajxhanit, me temë “Sfidat ndaj rendit botëror”.

Eshtë koha që edhe Bashkimi Europian të miratojë një qasje të re. Zgjerimi i tij duhet konsideruar si një instrument i fuqishëm gjeostrategjik. Unë do të doja të vlerësoja vendimin e guximshëm të marrë nga Komisioni i BE-së për t’i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat. Populli i Ukrainës e meriton plotësisht të ardhmen europiane, sepse ata po luftojnë jo vetëm për lirinë e tyre, por po mbrojnë edhe vlerat europiane, sepse besojnë në demokraci.

Meta theksoi se “lufta në Ukrainë ka shkaktuar situatën më të rrezikshme dhe më të paqëndrueshme që nga Lufta e Dytë Botërore e kjo ka ndikuar rëndë sigurinë në shkallë globale”.

Puna për çështjet e sigurisë, duke përfshirë sigurinë e shëndetit, ushqimit ose energjisë, duhet të jetë fokusi ynë për të ardhmen dhe se si mund të ecim përpara. Ajo që na mësoi pandemia COVID-19 është se ne duhet të ndërtojmë sisteme shëndetësore më elastike në vendet tona e të investojmë në sistemet e shëndetit publik, që veçanërisht duhet të mbrojnë komunitetet e cënueshme të shoqërive tona.

COVID-19 na vërtetoi të gjithëve se çështja shëndetësore është e lidhur ngushtë me paqen, sigurinë dhe ekonominë e nuk është thjesht një çështje kombëtare, por ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse ne nënvizojmë nevojën për një koordinim e bashkëpunim më të mirë global që duhet të kontribuojë në forcimin e OBSH-së, si autoriteti udhëheqës dhe drejtues për shëndetin global.

Po ashtu, presidenti deklaroi se “siguria ushqimore duhet të mbetet një tjetër prioritet kryesor në axhendën tonë ndërkombëtare”.

Fatkeqësisht, agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka sjellë rritje të çmimeve të ushqimeve kudo, veçanërisht nëse kemi parasysh se vetëm Ukraina kultivon ushqim të mjaftueshëm për 400 milion njerëz. Rritja e çmimeve të ushqimeve sjell një kërcënim real në rritjen e varfërisë, që mund të sjellë zi buke, veçanërisht në disa zona të botës, si Afrika dhe që mund të përshkallëzohet në një krizë të vërtetë humanitare, politike e migrim masiv në botë. Koha po na mbaron! Kjo është arsyeja pse qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare duhet të punojnë për një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar, duke synuar sjelljen e tregjeve në stabilitet.

Agresioni i Ukrainës nga Rusia ka sjellë një tension të madh dhe po na mëson atë që dinim, të mos bëhemi të varur nga një burim energjie dhe vetëm nga disa vende të botës. Kërkesa në rritje e madhe për naftë ka rritur jashtëzakonisht pasigurinë globale të energjisë në vendet e zhvilluara dhe veçanërisht në zhvillim dhe po ndikon në politikat qeverisëse të vendeve. Të gjithë duhet të punojmë për: diversifikimin e burimeve të energjisë, veçanërisht në energjinë diellore dhe të erës; sigurimin e prodhimit vendas, veçanërisht për energjinë e gjelbër dhe sigurimin e shpërndarjes dhe aksesit për njerëzit tanë.