Bota

Presidenti polak Duda: “NATO të paralizojë agresionin rus në rajon!”

Presidenti polak, Andrzej Duda deklaroi se “NATO duhet të tregojë elasticitet dhe të forcojë krahun e saj lindor për të paralizuar politikën agresive të Rusisë në rajon”. Duda ishte në kryeqytetin ukrainas, Kiev duke u bërë kreu i parë i huaj i një shteti që flet personalisht në Verkhovna Rada, parlamentin e vendit, që nga fillimi i luftës.

Aleanca duhet të jetë e ashpër, NATO duhet të forcojë krahun lindor dhe të ndjekë një politikë koherente të mbrojtjes, duke penguar agresionin e mundshëm të Rusisë. Unë do të doja që samiti i ardhshëm i NATO-s, në Madrid, më 28-30 qershor, të ketë sukses në arritjen e këtij qëllimi. Do të doja që të merren vendime për të forcuar krahun lindor, për të krijuar grupe  luftarake dhe për të krijuar armë antiraketore, që ne të ndihemi më të sigurt në këtë pjesë të Europës. Rusia nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga qëllimet e saj strategjike në Ukrainë dhe po përballet me disfatë politike dhe ushtarake.

Nesër mbushen plot tre muaj nga dita e fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, me urdhër të Putinit. Luftimet kanë shkatërruar vendin ndërsa të shumtë janë viktimat, mes tyre edhe fëmijë. Aktualisht, ofensiva e Moskës është përqëndruar në lindje të Ukrainës, ndonëse pa shënuar përparim domethënës. Pasi mbajtën të rrethuar për një kohë të gjatë Kievin, por pa arritur të depërtojnë, forcat e Rusisë ndryshuan strategji duke u fokusuar në lindje. Moska përballet me sanksione të forta të Perëndimit.

Ndërkohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i mbetet qëndrimit se “Putin duhet të paguajë çmim të lartë për barbarizmin e tij në Ukrainë” dhe kjo “për t’u siguruar që shtetet e tjera nuk ndërmarrin hapa të ngjashëm”. Po ashtu, besohet se deklarata e shefit të Shtëpisë së Bardhë ishte dhe një referencë e drejtpërdrejtë për tensionet e vazhdueshme mes Kinës e Tajvanit.