Aktualitet

Presidenti rus Putin uron Bajram Begajn!

Një javë pasi u zgjodh në krye të shtetit, Bajram Begaj urohet nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin. Në postimin e ambasadës ruse në Tiranë thuhet:

Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, i ka përcjellë urime z.Bajram Begaj për zgjedhjen e tij në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe i uroi shëndet dhe suksese në detyrën e tij më të lartë shtetërore.

Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, i ka përcjellë urime z.Bajram Begaj për zgjedhjen e tij në postin e…

Posted by Embassy of Russia in Albania / Посольство России в Албании on Saturday, June 11, 2022

Më herët, Begaj ka marrë urime edhe nga presidentja e Kosovës dhe ai i Serbisë. Në mesazhin e saj, Vjosa Osmani shprehej:

Urime të përzemërta për presidentin e sapo zgjedhur të Shqipërisë, Bajram Begaj! Ju uroj suksese në rolin tuaj të ri dhe shumë të rëndësishëm. Së bashku do të punojmë që raportet vëllazërore ndërmjet Kosovës e Shqipërisë t’i thellojmë edhe më tej, si dhe t’i sjellim vendet tona më afër BE-së.

Ndërkohë, Aleksander Vuçiç theksonte:

Jam i bindur se do të zhvillojmë marrëdhënie të mira dhe miqësore dhe bashkëpunimin më të mirë ekonomik në shumë fusha, për të mirën e qytetarëve të vendeve tona. Besoj se së bashku do të kenë sukses të gjitha potencialet e nismës “Ballkani i Hapur”. Kjo nismë do të përmirësojë shumë standardet në rajonin tonë.

Më 4 qershor, në raundin e katërt të votimit në Kuvendin e Shqipërisë, Bajram Begaj u zgjodh në krye të shtetit, me 78 vota pro. Ish-shefi i Shtabit të Përgjthshëm të Forcave të armatosura u propozua të premten e javës së kaluar nga maxhoranca socialiste. Ai do të zëvendësojë Ilir Metën dhe e merr zyrtarisht detyrën muajin e ardhshëm, më 24 korrik.

Një ditë më parë, presidenti në largim priti pasardhësin në mjediset e Pallatit të Brigadave e siç bëri të ditur, Meta e uroi sërish për detyrën e lartë që e pret. Po ashtu, Bajram Begaj ka takuar paraardhësit, ish-presidentët Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi.