Rajoni

Presidenti serb Vuçiç kërcënon Kosovën me masa!

Në kulmin e tensioneve Kosovë-Serbi për vendimin e Prishtinës lidhur me zbatimin e reciprocitetit për targat, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç i kërkoi sot Kosovës të ndryshojë ato që i cilëson “vendime të këqija”. Në të kundërtën, paralajmëroi masa, por pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.

Ne duam t’i ofrojmë kohë shtesë për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse jo, ne do të marrim masa!

Paralajmërimi i Vuçiçit erdhi në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Gjithashtu, kreu i shtetit kërkoi që Kosova të tërheqë  forcat policore nga veriu.

Paralelisht me paralajmërimin për masa, Vuçiç nënvizoi se “Serbia do të vazhdojë të këmbëngulë në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë së popullatës serbe në Kosovë”.
Serbia do të kërkojë përgjigje urgjente nga Bashkimi Europian, nëse marrëveshja e Brukselit është e ligjshme ose jo dhe se kur do të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Në muajin e ardhshëm, ne do të kërkojmë një përgjigje dhe heshtja do të jetë një shenjë e qartë për ne se marrëveshja nuk ekziston dhe se ata nuk duan që ajo të pranohet.

Këtë mëngjes bisedova me ambasadorët e vendeve më të fuqishme perëndimore sesi duhet të duket një “zgjidhje kompromisi”. Unë e refuzova atë zgjidhje sepse nuk është një kompromis, por një zgjidhje që do të poshtëronte Serbinë.

Ndërkaq, edhe sot, qytetarët serbë kanë vazhduar protestën, duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare të Jarinjës e Bërnjakut. Forcat e Policisë së Kosovës kanë qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë natës, pas protestave lidhur me vendimin e Qeverisë, për masë reciprociteti për targat e makinave të regjistruara në Serbi e që hyjnë në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha në Kuvend se “ky vendim nuk është marrë me dëshirë të Kosovës, por u imponua nga pala tjetër”.

Por, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët pasi kundërshtojnë pajisjen me targa të përkohshme që po iu vendosen automjeteve në xhama, para dhe prapa. Pagesa është 5 euro e vlefshmëria 60 ditë.