Rajoni

Presidenti serb Vuçiç, skeptik për mbledhjen e nesërme të KS-së së Kombeve të Bashkuara!

Në prag të seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk beson se “do të zgjidhë ndonjë gjë për Kosovën”.

Nuk besoj se do të ketë ndonjë zgjidhje, sepse çfarëdo që bëjnë shqiptarët, ata gjithmonë e kanë mbështetjen e pesëshes së madhe. Ne mund të presim mbështetje nga Rusia e Kina dhe disa vende më të vogla, por kjo nuk do t’i ndryshojë gjërat në terren.

Me pesëshen e madhe, Vuçiç iu referua anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Seanca është caktuar për nesër. Ky është një takim i rregullt për Kosovën, ku paraqitet raporti i Misionit të Kombeve të Bashkuara. Në të pritet të marrë pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani. Dokumenti përfshin periudhën 16 mars-15 shtator 2021.
Ndërkaq, takimi do të zhvillohet dy ditë pas një krize të re në veriun e Kosovës me shumicë serbe, referuar aksionit policor kundër kontrabandës me mallrat, operacion ku u përfshinë edhe doganat. Serbët protestuan e pati 20 të lënduar nga trazirat, mes tyre agjentë të Policisë.

Kryeministri Albin Kurti tha sot se “nuk mund të ketë stabilitet të krimit”. Kurti kërkoi të mos politizohet aksioni i djeshëm në Pejë, Prishtinë, Mitrovicën e Veriut dhe atë të Jugut ku sipas tij, bashkëpunojnë kriminelë shqiptarë e serbë. “Duhet të bashkëpunojmë në Ballkanin Perëndimor kundër krimit të organizuar, i cili është shumë më i integruar nga ne”, – u shpreh shefi i qeverisë së Prishtinës, duke folur në Shkup, në samitin e “The Economist”.

Në të njëjtën linjë qëndrimi me Kurtin u shpreh zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Sipas tij, “korrupsioni dhe krimi i organizuar janë gjenerator i shumë dukurive negative në rajon”.

Pa luftë kundër këtyre faktorëve, nuk mund të kemi institucione që janë profesionale, të pavarura, dhe që do të japin kushte më të mira për njerëzit në Ballkanin Perëndimor.