Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç e quajti “akt terrorist” sulmin e mbrëmshëm pranë Beogradit, ku u vranë tetë persona dhe u plagosën 14. Sot në një konferencë për shtyp lidhur me ngjarjen, e dyta e këtij lloji në dy ditë pas masakrës në një shkollë po të Beogradit ku një 13-vjeçar vrau 8 nxënës dhe rojen e sigurisë, Vuçiç deklaroi:
Eshtë një akt për të cilin forcat tona speciale antiterroriste kishin për detyrë të arrestonin ose neutralizonin një terrorist. Ai është arrestuar dhe nuk do ta shohë më kurrë dritën e diellit. Ai nuk do të dalë nga burgu!
Sipas njoftimit, agresori i dyshuar U.B, i lindur në vitin 2002, u arrestua pranë qytetit të Kragujevcit, pas disa orësh në arrati. Të shtënat ndodhën në fshatrat Dubona, Orashje e Vogël dhe Shepshin, mbrëmë vonë.
Policia po vazhdon punën për mbledhjen e fakteve dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të ngjarjes.
Policia ende nuk ka bërë të ditur motivin e sulmit.
Ndërkaq, Vuçiç përmendi disa masa sigurie që do t’i ndërmarrë qeveria, përfshirë punësimin e 1 mijë e 200 policëve të rinj dhe transferimin e 1 mijë të tjerëve për të qëndruar pranë shkollave.
Kjo do të bëhet që prindërit të ndihen të sigurt. Pothuajse gjithmonë do të ketë edhe polici e oficerë në shkollë, derisa të arrijmë në nivelin që polici të jetë gjithmonë në shkollë. Me këtë, jo vetëm që do të rrisim sigurinë për 90%, por do të ulim dhe dhunën e bashkëmoshatarëve në shkollë, besoj me 80%.
Po ashtu, Vuçiç sugjeroi një moratorium për lejet e armëve pavarësisht nga lloji i tyre, si dhe kontrolle më të shpeshta mjekësore e psikologjike të personave që i zotërojnë.
Sipas disa mediave serbe, i riu qëlloi me një armë automatike, pas debatit me një oficer të policisë, në një park në fshatin Dubona. Tre nga të plagosurit iu nënshtruan ndërhyrjes mjekësore urgjente. Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve të dhurojnë gjak.
Më herët, ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiç e cilësoi ngjarjen “akt terrorist”. Forcat e policisë, me patrulla të shumta vazhdojnë të jenë në terren.