Bota

Presidenti Zelensky pret intensifikim të luftimeve ruse këtë javë!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky parashikon përkeqësim të sulmeve ruse, me qëllim marrjen e territorit në lindje të Ukrainës, ndërsa këtë javë mbahen takime të liderëve të Bashkimit Europian për të vendosur nëse duhet mbështetur synimi i Kievit për t’u anëtarësuar në Union.

Në fjalimin e përditshëm, lideri ukrainas u shpreh se “është e qartë që këtë javë duhet të presim intensifikim të aktiviteteve armiqësore nga Rusia”. Referuar forcave të armatosura ukrainase, kreu i shtetit deklaroi:

Ne jemi duke u përgatitur, ne jemi gati!

Ukraina ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian, disa ditë pas nisjes së pushtimit rus me urdhër të presidentit Vladimir Putin, në datën 24 shkurt.

Moldavia dhe Gjeorgjia kanë vepruar në mënyrë të njëjtë, si pasojë e kërcënimit rajonal që vjen nga sulmi i Rusisë në Ukrainë.
Liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të analizojnë aplikimet e të tre vendeve në një samit që do të zhvillohet më 23 e 24 qershor dhe pritet të përkrahin aplikimin e Ukrainës.

Javën e kaluar, Komisioni Europian ka rekomanduar statusin e kandidatit për Ukrainën e Moldavinë, por vuri në dukje se Gjeorgjia ende ka kritere që duhen plotësuar, para se të bëhet vend kandidat. Secili proces anëtarësimi merr vite derisa të finalizohet. Në orët e para të ditës së sotme, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, raportoi se forcat ruse janë duke përdorur raketa e artileri për të bombarduar qytezat afër Severodonjeckut.

Sipas ushtrisë, forcat ukrainase dhe ato ruse janë ende duke luftuar për të marrë kontrollin e plotë të Severodonjckut, qytet kyç në lindje të Ukrainës. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pushtuar Ukrainën duke synuar që ta mbajë këtë shtet fqinj post-sovjetik larg ndikimit e integrimit europian, por përparimi në këtë aspekt ka rezultuar të jetë më i ngadalshëm në krahasim me atë që planifikon Kremlini. Putin nuk duket i shqetësuar për anëtarësimin e Ukrainës në BE, përsa kohë Unioni nuk është aleancë ushtarake si NATO.