Bota

Presidenti Zelensky u heq shtetësinë katër ligjvënësve ukrainas

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se ka revokuar shtetësinë për katër ligjvënës ukrainas të dyshuar për tradhti, tre prej të cilëve janë pjesë e një partie të ndaluar pro-ruse.

Shtetësia iu hoq Andriy Derkach, Taras Kozak, Renat Kuzmin, dhe Viktor Medvedchuk. Sipas presidentit ukrainas, kjo u bë “bazuar në materialet e përgatitura nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës dhe nga Shërbimi Shtetëror i Sigurisë”.

Të paktën tre prej këtyre personave gjenden jashtë vendit dhe që të gjithë janë nën procedime ligjore nën dyshimet për tradhti, që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në fund të shkurtit të vitit të kaluar.

“Nëse përfaqësuesit e zgjedhur të popullit zgjedhin të shërbejnë jo për popullin e Ukrainës, por për vrasësit që kanë ardhur në Ukrainë, veprimet tona do të jenë të përshtatshme”, tha Zelensky gjatë një adresimi në orët e vona të 10 janarit.

Ai shtoi se këto nuk do të jenë vendimet e fundit të këtij lloji.

Derkach, Kozak, Kuzmin, dhe Medvedchuk ishin zgjedhur deputetë në Parlamentin ukrainas, nga partia Platforma Opozitare për Jetë. Kjo parti, aktualisht është e ndaluar në Ukrainë.

Derkach ka qenë deputet për më shumë se dy dekada, por hetuesit besojnë se ai ka pranuar më shumë se gjysmë milioni dollarë nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të inteligjencës së Rusisë “për aktivitete subversive kundër Ukrainës gjatë viteve 2019-2022”. Ai nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë plenare që nga shkurti i vitit të kaluar.

Politikani Medvedchuk, kumbara i bijës të së cilit thuhet se është presidenti rus, Vladimir Putin, ishte arrestuar në prill dhe i ishte dorëzuar Rusisë në shtator gjatë një këmbimi të të burgosurve.

Ndërkaq, Kozak është larguar nga Ukraina më 2021.

Hetuesit kanë thënë se ligjvënësi i katërt, Kuzmin, “ka publikuar në media materiale propaganduese në dëm të Ukrainës”.

Asnjëri nga këta katër ligjvënës nuk i është përgjigjur publikisht këtij vendimi të Zelenskyt.