Bota

Presidentit Joe Biden iu hoq një polip beninj, por potencialisht prekanceroz!

Në koloskopinë më të fundit, presidentit amerikan Joe Biden iu hoq një polip 3 milimetra që rezultoi të ishte adenomë tubulare, lezion beninj, me rritje të ngadaltë, potencialisht prekanceroz. Lajmin e bëri të ditur mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Kevin O’Connor, sipas të cilit, polipi është i ngjashëm me atë që Biden-it iu hoq në 2008-ën dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje të mëtejshme.

Shtëpia e Bardhë siguron se Biden është i shëndetshëm. Me 79 vite mbi shpatulla, ka hyrë në historinë e Amerikës si presidenti më i moshuar në detyrë.

Polipi që iu hoq, formohet në murin e kolonit apo zorrës së trashë dhe nëse nuk hiqet mund të degradojë në tumor. Për këtë arsye nevojitet dhe është i mjaftueshëm një kontroll rutinë, përmes kolonoskopisë.

Por, në njoftimin e mjekut nuk jepen detaje se kur do të zhvillohet kontrolli i radhës. Kujtojmë se gjatë kolonoskopisë, Joe Biden iu nënshtrua anestezisë së plotë dhe sipas Kushtetutës, kur presidenti nuk është në gjendje të marrë vendime, përkohësisht, detyra i kalon numrit dy të Shtëpisë së Bardhë, në këtë rast, zv.presidentes Kamala Harris, e cila u bë presidente e Amerikës për 25 minuta. Ndonëse zyrtarisht nuk mund të cilësohet kështu, në fakt, Harris bëri një zëvendësim siç parashikon amendamenti i 25-të.

Precedentët dhe “JO”-ja e Donald Trump

Që në 2002-shin e në vitin 2007, presidenti i kohës George W. Bush, për të njëjtin kontroll, ia kaloi detyrën zv.presidentit Dick Cheney. Më vonë në kohë, në 2019-ën, Donald Trump për të mos u dukur “i dobët” iu nënshtrua kolonoskopisë, por pa qetësues, që të mos i kalonte pushtetin Mike Pence-it.

Imazhet e Trump-it me këmishë të hapur e fytyrë të lodhur bënë xhiron e botës dhe u përfol për një iktus apo krizë ankthi. Por, libri i kujtimeve i ish-zëdhënëses së tij hodhi dritë: kolonoskopia ishte e vështirë dhe ai nuk donte ta bënte publike, për të mos përfunduar në shënjestrën e analistëve politikë.