Rajoni

Presidentja e KE-së: Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE-së!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, këmbëngul që shtetet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Ukraina, Gjeorgjia e Moldavia, të bëhen pjesë e familjes europiane. Në fjalimin e përvitshëm në Parlamentin Europian theksoi:

Pa këto shtete, Unioni ynë nuk do të jetë i kompletuar.

Sipas shefes së KE-së, “mënyra më e shpejtë për të zgjeruar sundimin e demokracisë është duke forcuar lidhjet me vendet demokratike në kontinentin europian”.

Kjo fillon me ato shtete që tashmë janë në rrugë drejt unionit tonë. Ne duhet të jemi në anën e tyre në secilin hap sepse rruga drejt demokracisë së fuqishme dhe rruga drejt Bashkimit Europian është e njëjtë. Prandaj, dua që njerëzit në Ballkanin Perëndimor, në Ukrainë, Moldavi e Gjeorgji ta dinë: ju jeni pjesë e familjes sonë, e ardhmja juaj është në BE dhe Unioni ynë nuk është i kompletuar pa ju.

Von der Leyen përmendi Ballkanin në disa pjesë të fjalimit kur nënvizoi nevojën që të rishqyrtohet politika e jashtme e BE-së.
Tani është koha për të investuar në forcën e demokracisë. Kjo punë fillon me grupin bazë të partnerëve që mendojnë si ne, me miqtë tanë në secilin komb demokratik në botë. Ne e shohim botën me të njëjtin sy dhe ne duhet të mobilizojmë fuqinë tonë kolektive.

Mbështetje për idenë e Bashkësisë Politike Europiane

Sa i përket rrugës së anëtarësimit në BE, presidentja e KE-së mbështeti idenë për formimin e një Bashkësie Politike Europiane, duke shtuar se mbi këtë temë, propozimet do të paraqiten gjatë samitit të bllokut europian. Samiti i BE-së pritet të zhvillohet në tetor në kryeqytetin çek Pragë, ku do të marrin pjesë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, si edhe të vendeve europiane që nuk janë në Bllok, të tilla si Britania e Madhe e Norvegjia.

Idenë për krijimin e një Bashkësie Politike Europiane, fillimisht e ka përmendur presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në kohën kur Parisi mbante presidencën e radhës së Unionit, në 6-mujorin e parë të vitit. Idenë e shefit të Elizesë e ka mbështetur edhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. Von der Leyen tha se krijimi i kësaj bashkësie nuk do të kishte “për qëllim të zëvendësonte procesin e zgjerimit të BE-së”.