Rajoni

Presidentja e KE-së, von der Leyen kërkon dialog për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës!

Nga Prishtina ku sot vijoi turin ballkanik, Ursula von der Leyen u shpreh shumë e shqetësuar me krizën në veri të Kosovës. Për presidenten e Komisionit Europian, “gjetja e zgjidhjes së qëndrueshme, duhet të ndodhë përmes dialogut në Bruksel mes Prishtinës e Beogradit”. Von der Leyen i bëri komentet në një konferencë me kryeministrin Albin Kurti e ku në fokus ishin zhvillimet në veri të Kosovës.

Më duhet të them që jam shumë e shqetësuar me krizën aktuale. Eshtë me shumë rëndësi që të kapërcehen tensionet, të kthehemi në tryezën e bisedimeve për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme. E vetmja mënyrë si mund të bëhet kjo është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që përbën platformën e vetme për zgjidhjen e krizës aktuale. Do të vazhdoj të jem në kontakt me Qeverinë, dëshiroj të shoh që Kosova shënon përparim.

Prej 10 ditësh, serbët mbajnë të bllokuara pikëkalimet e Jarinjës e Bërnjakut, në shenjë proteste për vendimin e qeverisë Kurti lidhur me reciprocitetin e targave me Serbinë.

Albin Kurti akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për deklarata luftënxitëse që 4 ditë më parë, çuan në djegien e dy qendrave të regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok e Jarinjë.

Pas deklaratave luftënxitëse e plot urrejtje të presidentit të Serbisë, u sulmuan institucionet e Kosovës dhe ky sulm erdhi pas demonstrimeve ushtarake në kufi, me tanke e helikopterë Mig.

Sipas Kurtit, “Në njërën anë, Serbia merr donacione nga Bashkimi Europian, por gjithashtu armatoset nga Rusia e Kina”.

Fatkeqësisht jemi në një situatë në të cilën në njërën anë merren ndihma e donacione nga Bashkimi Europian, e në anën tjetër, Serbia që i merr këto fonde pa zbatuar vlera, duhet të demokratizohet e jo të militarizohet nga Rusia dhe Kina.

Lidhur me situatën në veri të Kosovës, sot në Bruksel po zhvillohen bisedime mes kryenegociatorëve të Prishtinës e Beogradit, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç. Takimi i kërkuar me ngulm nga ndërkombëtarët, ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. I Dërguari i Unionit për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak njoftoi se në takime të ndara me Bislimin e Petkoviçin, bisedoi për gjetjen e mënyrave që të tejkalohet kriza aktuale.

Në Bruksel shkoi edhe i Dërguari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, i cili iu bëri thirrje palëve, të ulin menjëherë tensionet. Në kryeqendrën europiane, zv.Ndihmës Sekretari Amerikan për Çështje të Europës dhe Euroazisë, takoi të dy kryenegociatorët.

Mbështes përpjekjet e Bashkimit Europian, për të gjetur zgjidhje për çështjen e targave të automjeteve, që palët t’i kthehen dialogut, përmes të cilit të zgjidhen çështjet e hapura.