Sot në Bruksel, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, pret presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Temë kryesore e takimit, situata e sigurisë në Kosovë, sidomos në veriun me shumicë serbe. Po ashtu, Osmani dhe Stoltenberg pritet të bisedojnë për angazhimin e misionit paqeruajtës KFOR dhe mbi procesin e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Në selinë e Aleancës, Osmani do të ketë të tjera takime, përfshirë me kreun e Komitetit Ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer, shefen e misionit amerikan, Julianne Smith dhe me përfaqësues të vendeve të ndryshme.
Që kur në fund të majit u rritën tensionet në veri të Kosovës, vazhdimisht, NATO u ka bërë thirrje të gjithë faktorëve në rajon që të përmbahen nga veprimet që rrisnin më shumë tensionet e të bëjnë hapa për qetësimin e situatës. Po ashtu, Aleanca ka përsëritur se mbetet e përkushtuar që përmes KFOR-it të sigurojë qetësi dhe siguri për të gjithë në Kosovë.
Pas rritjes së tensioneve, NATO shtoi numrin e ushtarëve të KFOR-it. Në të kaluarën, disa herë Stoltenberg ka deklaruar se aleanca ka forca të mjaftueshme për të zbatuar misionin e saj në Kosovë.
Ndërkaq, Prishtina ka shprehur ambiciet e saj për të ecur drejt integrimit në NATO, së pari përmes përfshirjes në Programin e Partneritetit për Paqe e më pas të bëhet anëtare e Aleancës.
Por, në NATO kanë theksuar se për pranimin e anëtarëve të rinj duhet miratimi i të gjithëve që janë pjesë e Aleancës. Në NATO, 4 nga 31 anëtarët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, përkatësisht Spanja, Greqia, Rumania e Sllovakia.
Në një debat para Parlamentit Europian, Stoltenberg përmendi rëndësinë e bashkëpunimit mes NATO-s dhe Bashkimit Europian në Kosovë e në Ballkanin Perëndimor.
Ne jemi dy organizata të ndryshme, por ndajmë të njëjtat vlera. Mbi 600 milion europianë jetojnë në vendet anëtare të NATO-s. Kur Suedia të bëhet anëtare e Aleancës, 96% e qytetarëve të BE-së do të jenë në NATO.
Zyrtari i lartë nënvizoi rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit mes NATO-s e BE-së.