Rajoni

Presidentja e Kosovës Osmani, akuza Serbisë se është kundër paqes në Ballkan!

Presidentja Vjosa Osmani akuzon Serbinë se nuk dëshiron marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Kosovën. Osmani i bëri komentet pasi priti në takim, homologun slloven, Borut Pahor.

Kosova ka qenë pala konstruktive në dialogun me Serbinë, por Serbia nuk është e interesuar të arrijë marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, ndaj vetëm njohja reciproke duhet të jetë në qendër të këtij procesi. Fqinji ynë nuk dëshiron paqe në Ballkanin Perëndimor. Për këtë, shpresoj që BE-ja të jetë e qartë me Serbinë. Edhe përmes strukturave ilegale në veri, Serbia vazhdon të destabilizojë Kosovën!

Strukturat paralele të Serbisë në Kosovë vazhdojnë të ekzistojnë dhe mbështeten nga Beogradi. Serbia nga buxheti i saj për vitin 2021 ka ndarë 91.8 milion euro për financimin e institucioneve paralele e të aktiviteteve të saj në Kosovë. Sipas Osmanit, edhe ndikimi rus paraqet një tjetër kërcënim për destabilizim të rajonit.

Për t’u luftuar këto tendenca destabilizuese, kemi nevojë për mbështetje të miqve tanë, kemi nevojë për përkrahjen e Sllovenisë. Kosova nuk ka rrugë tjetër përveç integrimeve euro-atlantike. Vendi ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave, por vonesa e Bashkimit Europian, dëmton besueshmërinë e BE-së.

Për vizat foli edhe Pahor, vendi i të cilit kryeson presidencën e BE-së. Presidenti slloven theksoi se BE-ja duhet të liberalizojë vizat për Kosovën. Ndërkaq, kërkoi që palët të lëvizin përpara me dialogun.

Sllovenia e mbështet perspektivën euroatlantike të Kosovës. Duhet të tejkalohen mosmarrëveshjet në dialog e të ndikojmë në Bashkimin Europian.

Pahor shkoi në Kosovë, një ditë pas vizitës në Beograd, ku po ashtu kërkoi të zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel, në kuadër të dialogut mes Prishtinës e Beogradit. Qëllimi është të arrihet një akord gjithëpërfshirës e ligjërisht i detyrueshëm për palët. Pengesa më e fundit për dialogun është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.