Rajoni

Presidentja Osmani akuza Serbisë për targat!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha sot se “ditët në vijim do të ketë përpjekje të tjera për zgjidhje të përhershme për targat e makinave”. Kjo pasi një ditë më parë, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, dështuan që të arrinin një akord përfundimtar mbi këtë çështje.

Bashkimi Europian u bëri thirrje palëve të vijojnë bisedimet, pasi dje ishte dita kur skadonte një marrëveshje e përkohshme për targat, e cila përfshin mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targa.

Në ditët në vijim do të ketë akoma përpjekje. Ajo çka unë mund t’ju siguroj është që Kosova do të jetë palë konstruktive dhe Kosova do të vazhdojë të jetë palë, e cila respekton parimet dhe standardet më të larta europiane!

Osmani i bëri këto komente gjatë një konference në Prishtinë, ku foli në një konferencë me homologun nga Estonia, Egils Levits, i cili po qëndron në Prishtinë.

Presidentja Osmani fajësoi Serbinë për dështimin e arritjes së marrëveshjes për targat, duke thënë se “prej vitit 2011, kur ka nisur dialogu me ndërmjetësimin e BE-së, Serbia nuk ka zbatuar marrëveshjet, sidomos ato për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, gjë që sipas Osmanit, “u ka shkaktuar probleme qytetarëve dhe bizneseve”.

Republika e Kosovës ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshje, ashtu siç ka kërkuar edhe BE-ja, në përputhje me kriteret, parimet dhe standardet e Unionit, por ne nuk mund të marrim përgjegjësi për bllokadën që e po shkakton pala serbe.

Nuk e di si do të sillet Serbia, por fatkeqësisht sjella e tyre e deritanishme vetëm e ka bllokuar progresin në dialog.

Pavarësisht se marrëveshja e përkohshme e targave skadoi më 21 prill, të premten, në pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, gazetarët e Radios Evropa e Lirë kanë parë se makinat me targa serbe dhe ato kosovare, po përdorin letrat ngjitëse për të mbuluar simbolet shtetërore në targa e qarkullimi i tyre po zhvillohet normalisht.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka paralajmëruar se autoritetet nuk do të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe do të aplikojnë të njëjtat veprime si edhe Serbia. Ndërkohë, kryenegociatori serb, Petar Petkoviç ka deklaruar se “regjimi i letrave ngjitëse do të vazhdojë”.