Bota

Pretendimet e separatistëve të Transnistrisë për sulme nga Ukraina!

Ministria e vetëshpallur e Punëve të Brendshme e Transnistrisë, rajon separatist moldav në kufi me Ukrainën, deklaroi sot se “u regjistruan të shtëna në një fshat me një depo të madhe municionesh ruse, pasi dronët u ngritën nga Ukraina”.

Mbrëmë, disa dronë u vunë re në qiell mbi fshatin Kobasna. Dronët u nisën për në territorin e Transnistrisë nga drejtimi i Ukrainës.

Pretendimi që nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, rezulton më i fundit në një seri pretendimesh të autoriteteve të Transnistrisë, të mbështetura nga Moska. Gjithashtu, ato përfshijnë akuzat për bombardimin e antenave të radios, një sulm ndaj një njësie ushtarake separatiste dhe shpërthime të drejtuara ndaj Ministrisë së Sigurisë Shtetërore të këtij rajoni separatist në Moldavi.

Zyrtarët e Transnistrisë i kanë quajtur incidentet “sulme terroriste”, ndërsa Kremlini thotë se “ato përbëjnë shkak për shqetësim serioz gjatë kohës kur po ndodh pushtimi rus në Ukrainën fqinje”. Transnistria, një rrip i ngushtë toke mes Moldavisë dhe Ukrainës, shpalli pavarësinë në vitin 1990. Dy vjet më pas, më 1992-shin, Moldavia dhe Transnistria zhvilluan një luftë të shkurtër, e cila shtypi forcat ruse që ndërhynë në anën e separatistëve. Rreth 1 mijë njerëz u vranë në atë konflikt.

Rusia numëron afro 1 mijë e 400 trupa në Transnistri dhe kontrollon depo të mëdha armësh të epokës sovjetike e që gjenden në rajon.
Në Kobasna, fshat rreth dy kilometra larg kufirit me Ukrainën, ndodhet një prej depove më të mëdha të municioneve në Europën Lindore. Aty janë magazinuar rreth 20 mijë tonë municione të epokës sovjetike, të cilat ruhen nga rreth 1 mijë e 500 ushtarë rusë. Moldavia i ka bërë vazhdimisht thirrje Rusisë që të respektojë premtimin e dhënë në samitin e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, OSBE, në vitin 1999, për të evakuar si depon e municioneve ashtu edhe trupat që e ruajnë.

Përveç trupave që pretendohet se ruajnë depon në Kobasna, Rusia ka 400 deri në 500 ushtarë të tjerë në Transnistri, të cilët llogariten si paqeruajtës që nga fundi i luftës së vitit 1992. Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të rrisin masat e sigurisë pas incidentit në Transnistri.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin nënvizoi se “Shtetet e Bashkuara ende janë duke analizuar shkaqet e shpërthimeve në Moldavi”. “Eshtë diçka në të cilën do të qëndrojmë të përqendruar”, – tha dje Austin gjatë një konference për shtyp në bazën e forcave ajrore Ramstein në Gjermani.