Aktualitet

Prezantohen dy kartëmonedha: 1 mijë dhe 10 mijë lekë!

Banka e Shqipërisë prezantoi dy prerje të reja të kartëmonedhave shqiptare, 1 mijë dhe 10 mijë lekë që zyrtarisht do të dalin në treg duke nisur nga 30 qershori 2021. Në serinë e kartëmonedhave shqiptare, 10 mijë lekëshi përbën prerje plotësisht të re.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Gent Sejko:

Kartëmonedha 1 mijë lekë del me dizajn të rifreskuar duke pësuar ndryshime që lidhen me të gjithë elementët në tërësi. Kartëmonedha 10 mijë lekë mban simbolet e identitetit tonë kombëtar, shoqëruar me autorin e Himnit Kombëtar, Aleksandër Stavër Drenova (Asdreni).

Kartëmonedha e re 10 mijë lekë ka të integruar numrat, shkronjat, si dhe elementin e njohjes nga të verbrit, hologramën e shoqëruar me efekte të ndryshme optike. Kjo kartëmonedhë e prerjes më të lartë shoqëron zhvillimin ekonomik të vendit.

Nga 30 qershori 2021, kartëmonedhat e serisë së re 1000 Lekë dhe 10000 Lekë do të kenë kurs ligjor në Republikën e Shqipërisë dhe do të përdoren si mjet pagese, me ato ekzistuese.

Banka e Shqipërisë inkurajon gjithë përdoruesit të jenë shumë të përgjegjshëm në trajtimin e çdo kartëmonedhe që mbajnë në dorë, për të ruajtur jetëgjatësinë, cilësinë e integritetin e tyre.

Deri tani, kartëmonedha me vlerën më të madhe në Shqipëri ishte ajo prej 5 mijë lekësh. Në vitin 2019, Banka e Shqipërisë prezantoi serinë e re të kartëmonedhave, e cila përbëhet nga 6 prerje: 200, 500, 1000, 2000, 5000 dhe 10000 Lekë.

Seria e re paraqitet me një dizajn të rifreskuar, duke i dhënë kartëmonedhës shqiptare pamje moderne, në të njëjtën kohë rezistente, me cilësi, integritet dhe besueshmëri të lartë.