Rajoni

Prishtina zyrtare shton sanksionet anti-ruse!

Në mbledhjen e sotme, qeveria e Kosovës shtoi sanksionet kundër Rusisë, në përputhje me ato të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, që nga koha kur Moska nisi sulmin e paprovokuar në Ukrainë, më 24 shkurt. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, vuri në dukje se qëndrojnë në krah të politikave të SHBA-ve dhe BE-së sa i përket sanksioneve.

Në paketën e tyre, gjithashtu përfshihen ndalesa për Bjellorusinë. Sanksionet e Prishtinës zyrtare nënkuptojnë ngrirje të aseteve të të sanksionuarve në territorin e Kosovës, ndalim të veprimit në tregun financiar kosovar, ndalim-udhëtimi, si dhe bllokim të aksesit në fonde, për të sanksionuarit.

Përveç këtyre sanksioneve, Qeveria e Kosovës ka rënë dakord edhe për vendosje të masave kufizuese për grupin Wagner, i cili përbëhet nga mercenarë me bazë në Rusi. Individët e listuar nga BE-ja janë të përfshirë në abuzime serioze me të drejtat e njeriut, duke përfshirë torturat dhe ekzekutime pa gjyq. Kremlini pretendon se Wagner është grupim privat, por ai konsiderohet i afërt me presidentin rus, Vladimir Putin dhe mercenarët që ka në përbërje, dyshohen për abuzime në vende si Mali, Libia e Siria.

Kosova dhe të tjera vende të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Serbisë, kanë përkrahur sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë.
Krahas agresionit rus në Ukrainë, edhe raportet e bllokut europian me Ballkanin Perëndimor, sot janë në fokus të takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian.

Më vonë gjatë ditës do të kenë një takim të përbashkët me shefat e diplomacive të gjashtë vendeve të rajonit. Në një dokument të përgatitur, thuhet se “agresioni i Rusisë ka krijuar ndryshime domethënëse gjeo-politike”.

Presioni kryesor do të jetë ndaj Serbisë, si vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Në Union përshëndesin faktin që në tërësi, Kosova ka mbështetur qëndrimet e Perëndimit për luftën në Ukrainë, edhe pse formalisht nuk i kërkohet një gjë e tillë. Në takim do të diskutohet edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë.